“Kam gjyshen sëmurë”, i riu shqiptar kapet me 158 kg kanabis në BMW

“Kam gjyshen sëmurë”, i riu shqiptar kapet…

Një 24-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Francë pasi u kap duke transportuar mbi 158 kilogramë kanabis me automjetin e tij.

I riu, i identifikuar si Leonardo, i lindur në Itali dhe i rritur në Shqipëri, u ndalua në pikën e pagesës së autostradës në veri të Tuluzës. Sipas autoriteteve franceze, ai kishte tërhequr vëmendjen për shkak të udhëtimeve të shpeshta mes Francës dhe Spanjës.

Gjatë kontrollit të BMW-së që drejtonte, doganierët zbuluan 54 kilogramë bar kanabisi dhe 104 kilogramë rrëshirë kanabisi, të fshehura në çanta. Sipas një zyrtari të doganës, vlera e kësaj sasie droge në tregun me pakicë arrin rreth 1 milion euro.

Hetuesit dyshojnë se për transportimin e ngarkesës, 24-vjeçari do të përfitonte rreth 10 mijë euro.

Gjatë seancës gjyqësore, Leonardo deklaroi përmes përkthyeses se e kishte pranuar këtë punë për shkak të vështirësive ekonomike. “Kisha nevojë për para për të ndihmuar gjyshen time, e cila është e sëmurë”, tha ai.

Megjithatë, analiza e telefonit të tij celular zbuloi se ai kishte kryer të paktën edhe dy udhëtime të tjera në mesin e muajit korrik. I pandehuri i përshkroi ato si “udhëtime vëzhgimi”, ndërsa hetimet nuk arritën të provonin përfshirje të mëtejshme.

Për transportin e fundit, ai shpjegoi se fillimisht kishte udhëtuar drejt Barcelonës, prej nga ishte dërguar me taksi në Valencia për të marrë ngarkesën. Më pas ishte nisur drejt Narbonës dhe Tuluzës, ndërsa sipas dosjes hetimore, destinacioni final ishte Gjermania, ku droga do të dorëzohej.

Ekspertiza e telefonit evidentoi gjithashtu kontakte të vazhdueshme me një numër që dyshohet se i përkiste drejtuesit të një automjeti pararendës, i cili kishte për detyrë të sinjalizonte praninë e kontrolleve policore. Në mbrëmjen e arrestimit, ai nuk arriti ta paralajmëronte në kohë.

Prokuroria argumentoi se udhëtimet ishin pjesë e një aktiviteti të përsëritur të trafikut të drogës dhe se Leonardo kishte qenë i përfshirë në të.

Në përfundim të procesit, 24-vjeçari u shpall fajtor dhe u dënua me tre vite burg. Gjykata vendosi gjithashtu një gjobë prej 529.300 eurosh, që korrespondon me vlerën me shumicë të sasisë së kanabisit të sekuestruar, si dhe konfiskimin e automjetit BMW.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit