Një incident është regjistruar ditën e djeshme në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë, ku një kamion i ngarkuar me mbetje nga një fabrikë për përpunimin e mbetjeve shtazore ka shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i kamionit, teksa po lëvizte në rrugicat e ngushta të lagjes, ka prekur një automjet të parkuar, duke shkaktuar dëme të lehta.
Pas përplasjes, disa banorë kanë reaguar duke sulmuar fizikisht drejtuesin e mjetit. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor, i cili po punon për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.
Banorët kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe për kalimin e kamionëve të tillë në zonë, pasi mjeti ishte i ngarkuar me mbetje me erë të rëndë, të cilat sipas tyre krijojnë bezdi dhe shqetësim të vazhdueshëm për komunitetin.