Kamioni përplasi për vdekje Lavdijen, bashkëshorti: Jam i shkatërruar, kam 3 fëmijë për të rritur

Kamioni përplasi për vdekje Lavdijen, bashkëshorti: Jam…

“Kam tre fëmijë për të rritur dhe tani jemi krejtësisht vetëm. Ndihemi të shkatërruar.”

Këto janë fjalët e bashkëshortit të Lavdije Isterit, 42-vjeçares shqiptare që humbi jetën tragjikisht në Passarella të Italisë, në një mëngjes që për familjen e saj nisi si çdo ditë tjetër, por përfundoi në një tragjedi të pakthyeshme.

Lavdija, me origjinë nga Durrësi, po shoqëronte vajzën e saj të vogël, vetëm 9 vjeçe, drejt shkollës fillore “Marco Polo”, kur u përplas nga një kamion mbeturinash që po merrte kthesën.

Aksidenti ndodhi në vijat e bardha dhe gjithçka u zhvillua para syve të vajzës së saj. Sipas të dhënave paraprake, një nga pistat që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me pikën e verbër të kabinës së kamionit, e cila mund të ketë penguar drejtuesin të dallonte në kohë 42-vjeçaren.

Në shtëpinë e familjes Isteri, dhimbja është e pranishme në çdo cep. Miq, fqinjë dhe të njohur kanë shkuar për t’i qëndruar pranë familjes, ndërsa lulet dhe përqafimet janë kthyer në një nga të paktat mënyra për të shprehur ngushëllimin.

Gurim Isteri ndodhej larg familjes për shkak të punës kur mori lajmin e tmerrshëm. Ai u kthye me nxitim dhe tashmë duhet të përballet me humbjen e bashkëshortes, ndërsa njëkohësisht të kujdeset për tre fëmijët.

“Duhet të vazhdoj përpara dhe të vazhdoj të jem i fortë për familjen tonë”, shprehet ai me zërin e thyer nga dhimbja.

Përveç vajzës 9-vjeçare, çifti kishte edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë 18-vjeçar dhe një vajzë 22-vjeçare.

Gurimi tregon se ndodhej në Cremona për punë dhe u kthye një ditë më parë.

“Erdha dje nga Cremona. Gjatë mbrëmjes mora pjesë edhe në lutjen në kishë, të organizuar nga komuniteti”, tregon ai.

Lavdije dhe Gurim Isteri kishin nisur jetën së bashku në Shqipëri. Rreth 24 vite më parë, çifti u zhvendos në Passarella, ku ndërtoi familjen dhe jetën e tij. Me kalimin e viteve, ata u bënë pjesë e komunitetit vendas. Gurimi punonte, ndërsa Lavdija ishte e përkushtuar ndaj fëmijëve dhe familjes.

Për njerëzit që e njihnin, ajo ishte një grua e dashur dhe e respektuar. Tani, banesa ku dikur mbizotëronte jeta familjare është mbushur me heshtje dhe lot.

“Unë nuk dua të akuzoj askënd, por e di që më kanë vrarë nga brenda. Na kanë vrarë të gjithëve. E kemi zemrën të copëtuar”, thotë Gurimi.

Ai shprehet i lënduar edhe nga mungesa e një kontakti me familjen pas tragjedisë.

“Askush nuk ka ardhur të kërkojë falje dhe ne jemi të shkatërruar nga dhimbja. Zemërimi nuk zgjidh asgjë, por dhimbja është tepër e madhe.”

Mes lotësh, Gurimi flet për gruan me të cilën ndau më shumë se dy dekada jetë.

“Me Lavdijen gjithçka ishte e bukur, gjithçka ishte perfekte. Do ta jetoja edhe një mijë herë historinë që kam jetuar me të. Të jetonim së bashku ishte diçka e mrekullueshme.”

Ai e përshkruan Lavdijen si një njeri të pazëvendësueshëm.

“Gruaja ime ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Jam i sigurt se në të gjithë botën nuk do të gjej kurrë një tjetër si ajo. Më mungon shumë. Zemra ime do ta kujtojë përgjithmonë.”

Familja ende nuk ka mundur t’i japë lamtumirën e fundit 42-vjeçares. Tashmë priten njoftimet e autoriteteve për procedurat e mëtejshme dhe përcaktimin e datës së funeralit.

Për Gurimin dhe tre fëmijët e tij, jeta ka marrë një kthesë të pakthyeshme. Një mëngjes i zakonshëm përfundoi me humbjen e nënës së familjes, duke lënë pas një boshllëk që fjalët nuk mund ta mbushin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit