Për herë të parë në histori, FIFA do t’i dhurojë kombëtares fituese të Kupës së Botës 2026 unaza ekskluzive kampioni, duke ndjekur traditën e sporteve amerikane si NBA, NFL, NHL dhe Major League Baseball. 30 unaza të personalizuara do t’u jepen lojtarëve dhe stafit të ekipit që do të triumfojë në finalen e zhvilluar në stadiumin “MetLife” në New Jersey.
Unazat do të prodhohen në një seri të kufizuar prej 2.026 copësh, ku vetëm 30 do të rezervohen për kampionët e botës, ndërsa pjesa tjetër do të dalë në shitje për tifozët. Dizajni është mbajtur sekret, por dihet se në njërën anë do të jetë trofeu i Kupës së Botës FIFA, ndërsa ana tjetër do të personalizohet sipas kombëtares fituese.
Vlera e këtyre unazave pritet të jetë shumë e lartë, pasi mendohet se do të përmbajnë ar dhe gurë të çmuar. Sipas vlerësimeve, një unazë mund të kushtojë deri në 130 mijë euro, duke e kthyer atë në një nga objektet më të rralla dhe më të shtrenjta në historinë e futbollit.