Kandidati demokrat për president akuzohet për ngacmim seksual

Kandidati demokrat për president akuzohet për ngacmim…

Joe Biden, kandidati potencial i demokratëve për garën për president të SHBA-së pritet të flasë për herë të parë të premten duke adresuar personalisht akuzën e bërë nga një ish-ndihmëse e tij në Senat, e cila e ka akuzuar se ai e ka sulmuar seksualisht në vitin 1993, një akuzë që zyrtarët e fushatës së zotit Biden e kanë hedhur poshtë.

Zoti Biden është planifikuar të intervistohet në lidhje me këtë çështje gjatë programit të rrjetit kabllor MSNBC “Morning Joe”, sipas njoftimit në Twitter të enjten të vetë rrjetit. Zyrtarët e fushatës së zotit Biden nuk i janë përgjigjur kërkesave të shtypit për një koment rreth intervistës. Ndihmësit e fushatës së tij kanë thënë se incidenti nuk ka ndodhur kurrë, por zoti Biden ka qëndruar në heshtje lidhur me këtë cështje. Të mërkurën kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, demokratja më e lartë në Kongres, i bërë një mbrojtje të fuqishme zotit Biden, duke theksuar historinë e gjatë të ish-Nënpresidentit në mbështetje të politikave që synojnë të ndalin abuzimin me gratë.

Plani për një intervistë vjen ndërsa disa demokratë i kanë kërkuar 77 vjeçarit Joe Biden, t’i përgjigjej direkt akuzës.

Tara Reade, një grua nga Kalifornia, e cila ka punuar si asistente e stafit në zyrën e zoti Biden në Senat nga dhjetori 1992 deri në gusht 1993, e ka akuzuar zotin Biden në intervista mediake se në vitin 1993 e ka përplasur atë në mur, i ka ngritur fundin dhe futur duart brenda saj.

Zoti Biden pritet të jetë kandidati përballë Presidentit republikan Donald Trump, 73 vjeç, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Zoti Trump është akuzuar nga më shumë se 12 gra për sulme seksuale e sjellje të pahijshme ndër vite, akuzat që ai dhe ndihmësit e tij i kanë mohuar.

“Unë mendoj se ai duhet të përgjigjet” tha zoti Trump për zotin Biden në një konferencë për mediat të enjten. “Mund të jenë akuza të rreme. Dhe unë di gjithçka mbi akuzat e rreme”, shtoi ai.

Zonja Pelosi, e cila e mbështeti zyrtarisht zotin Biden të hënën për garën për president, vuri në dukje se personeli që drejtonte zyrën në Senat të zotit Biden, ka thënë se nuk kujton të kishte pasur ndonjë ankesë për sulm seksual.

“Kam respekt të plotë për gjithë lëvizjen #MeToo”, tha zonja Pelosi në një konferencë shtypi. “Por gjithashtu duhet të ketë një proces të drejtë edhe për faktin që Joe Biden është Joe Biden. Ai është personifikim i shpresës, optimizmit dhe origjinalitetit në vendin tonë, një person me vlera të mëdha”, shtoi zonja Pelosi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit