Fegja Dimoviq, kandidat i Listës Studentore në Serbi, ka deklaruar se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe një shtyllë e rëndësishme e identitetit shpirtëror dhe kulturor serb. Deklarata e tij erdhi pas një vizite në Kosovë më 7 dhe 8 nëntor, së bashku me pesë kandidatë dhe përfaqësues të tjerë të lëvizjes studentore. Dimoviq theksoi se Kosova zë një vend të rëndësishëm në programin politik të subjektit që përfaqëson. Ai u shpreh se nga kjo vizitë janë kthyer më të vendosur për të luftuar krimin e organizuar në Serbi, ndërsa u premtoi serbëve të Kosovës se nuk do t’i harrojnë.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni zhvilloi takime me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë mitropolitin Teodosije në Manastirin e Graçanicës. Sipas njoftimit të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, në takim u diskutua për jetën e komunitetit serb dhe sfidat me të cilat përballet Kisha Ortodokse në Kosovë. Përfaqësuesit e Listës Studentore shprehën gatishmërinë për të mbështetur komunitetin serb, mbrojtjen e të drejtave të tij dhe objektet fetare ortodokse. Ata premtuan gjithashtu se do të ruajnë komunikimin me banorët serbë dhe do t’u kushtojnë vëmendje shqetësimeve të tyre në angazhimin e ardhshëm institucional. Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ka bërë të qartë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën serbe. Ky qëndrim vjen pavarësisht faktit se Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe është njohur nga shumë shtete të botës. Ndërkohë, kandidati Jugosllav Gashiq ka deklaruar se Lista Studentore nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe, të cilën e akuzon për përkeqësimin e pozitës së komunitetit serb në Kosovë. Pas fitores ndaj partisë së Aleksandar Vuçiqit, Lista Studentore pritet të formojë qeverinë e re të Serbisë, megjithëse ende nuk ka bërë të ditur emrin e kandidatit për kryeministër.