
Gentian Ndoj, kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në listën e hapur të PD në Shkodër, rezulton të ketë pasur kartelë në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës.
Është zbuluar me dokumente zyrtare të siguruara nga “Fiks Fare” se Ndoj, i lindur në vitin 1985, është trajtuar për probleme neuropsikiatrike që prej vitit 2004. Në një prej dokumenteve të siguruara shkruhet se ai vuan nga “çrregullime deluzionale”, një diagnozë e përsëritur në disa të dhëna mjekësore të viteve në vijim.
Një dokument i vitit 2005 i titulluar “fletë drejtimi për kemp”, dëshmon se komisioni mjekësor e ka cilësuar Ndojn si person që vuan nga çrregullime deluzionale. Po në atë vit, një tjetër dokument me numër reference 975, i lëshuar nga Spitali Psikiatrik i Shkodrës, përmban të njëjtën diagnozë. Një “fletë dalje” tjetër konfirmon se z. Ndoj ka qenë i shtruar nga data 10 maj deri më 17 maj 2004.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çrregullimet deluzionale përkufizohen si besime të gabuara që nuk ndryshojnë pavarësisht fakteve kundërshtuese, duke përfshirë forma si deluzione madhështie, xhelozie, persekutimi dhe erotomanie.
Gjithashtu një dokument i datës 12 korrik 2005 është lëshuar nga Qendra e Rekrutim Mobilizimit në Shkodër, ku theksohet se Gentian Ndoj është përjashtuar për një vit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak për shkak të të njëjtës diagnozë. Në tetor të po atij viti, ai ka qenë i shtruar për një ditë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Në vitet në vijim, dokumentacioni i siguruar përfshin edhe një epikrizë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe një vendim për ndihmë ekonomike, ku Gentian Ndoj përfiton për periudhën 17 prill 2005 – 31 dhjetor 2006, pikërisht për shkak të çrregullimeve deluzionale. Ai rezulton të ketë kaluar në komisionin mjekësor të kempit edhe në vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2010.
Në lidhje me të kaluarën e tij shëndetësore, ai i cilësoi këto informacione si “akuza të Partisë Socialiste” dhe i konsideroi të pavërteta.
Ndoj u shpreh se nuk mund t’i lexonte kartelat, duke pretenduar se janë me shkrim dore nga mjekët, ndërsa për dokumentet e shtypura tha se janë thjesht akuza, duke shtuar se dosja e tij ndodhet në Bashkinë e Vaut të Dejës, ku më parë ka qenë i punësuar.
I pyetur nëse ka informuar partinë apo KQZ për kartelat, Ndoj u përgjigj: “Nuk kam asnjë problem shëndetësor”. Ai as nuk i mohoi e as nuk i pohoi drejtpërdrejt dokumentet e publikuara.