Kanosja e gazetarit në Lezhë, Meta: Rast i përsëritur, Policia të reagojë për efektivin

Kanosja e gazetarit në Lezhë, Meta: Rast…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është treguar i ndjeshëm dhe ka reaguar menjëherë për aktin e shëmtuar të një dite më parë në Shëngjn të Lezhës, ku policia shoqëroi një gazetar dhe kanosi kolegët e tij.

Meta ka dënuar rastin e shoqërimit të gazetarit në Shëngjin, ku ai po filmonte një aksion të IKMT-së, për prishjen e ndërtimeve pa leje, duke e cilësuar atë si akt pa asnjë shkak të justifikuar ligjor.

Presidenti ka inkurajuar gazetarët të shërbejnë me guxim, kurajë dhe profesionalizëm, në ushtrimin e profesionit të tyre fisnik, teksa kërkon zbardhje të plotë të ngjarjes, si dhe ndëshkim të autorëve.

Gjithashtu, Meta, thotë se këto janë raste të përsëritura të kërcënimit dhe shantazhit policor, prandaj i ka kërkuar Policisë së Shtetit, që të distancohet nga praktikat abuzive.

Ja statusi i plotë i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në rrjetet sociale:

“Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin.

Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajë e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë.

Apeloj zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti, si dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve”.

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit