Një problematikë e përsëritur në farmacinë pranë QSUT-së po shkakton radhë të gjata dhe pritje disa orëshe për pacientët që paraqiten për të marrë injeksione, medikamente dhe barna të rimbursuara.
Në redaksinë tonë kanë mbërritur disa denoncime nga qytetarë, të cilët thonë se shkak i situatës është mungesa e funksionimit të sistemeve kompjuterike.
Sipas tyre, problemi nuk është i izoluar, por përsëritet në mënyrë të vazhdueshme, veçanërisht ditën e hënë dhe të premte.
Një qytetar shprehet se problematika është raportuar disa herë pranë zyrave të AKSHI-t, por, sipas tij, reagimi dhe zgjidhja vonojnë. Në një nga denoncimet, qytetari thotë se defekti ishte raportuar që në orën 08:00 të mëngjesit, ndërsa deri rreth orës 10:30 nuk kishte marrë ende një përgjigje apo ndërhyrje.
“E kemi adresuar shumë herë si problematikë, sepse është diçka që përsëritet.”
Por shqetësimi bëhet edhe më serioz kur në radhë janë pacientë që ndodhen nën trajtim mjekësor, përfshirë pacientë onkologjikë.
Në një tjetër qytetare thotë se ditën e sotme pacientët kanë pritur rreth tre orë për të marrë barnat e tyre, përfshirë medikamente të rimbursuara. Sipas qytetarit, mungesa e sistemit po pengon marrjen në kohë të terapisë dhe po detyron pacientët dhe familjarët e tyre të qëndrojnë për orë të tëra në pritje.
“‘Prania besnike’ po i lë të sëmurët e onkologjikut pa ilaçe, nuk ka sistem, thonë”, thuhet në denoncim.
Pacientët që paraqiten për barna apo terapi nuk mund të mbeten peng i një sistemi informatik që nuk funksionon, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të garantojnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një mënyrë alternative shërbimi në rast defektesh.
Në këtë situatë kaotike pyetjet që ngrihen janë të qarta: Pse një problem i raportuar disa herë vazhdon të përsëritet? Sa kohë duhet për rikthimin e sistemit në funksion? Dhe çfarë procedure ndiqet për pacientët që nuk mund të presin me orë të tëra për shkak të një defekti teknik?
Ministria e Shëndetësisë duhet të japë një shpjegim mbi situatën dhe mbi masat që do të merren për të shmangur përsëritjen e saj.
Denoncimi 1:
Pershendetje! Ju lutemi te adresoni nje problematike qe eshte sistematike ne lidhje me mungesen e sistemeve ne farmacine prane QSUT-se te farmacia ku pacientet marrim injeksionet apo medikamentet e ndryshme! Thone e kemi adresuar shume here si problematike sepse eshte dicka qe perseritet dhe qe zyrat AKSH-it nuk japin asnje pergjigje edhe pse eshte njoftuar qe ne oren 8:00 te mengjesi, ora aktualisht eshte 10:30 dhe nuk ka ende asnje pergjigje! Cdo te hene dhe te premte eshte i njejti problem qe njerezit presin ne radhe per ore te tera per shkak te mungeses se sistemeve!
Denoncimi 2:
“Prania besnike”po i lë të sëmurët e onkologjikut pa ilaçe, nuk ka sistem thonë!!Sot, pacientë të shumtë po presin me orë të tëra për të marrë barnat e tyre në farmaci, përfshirë barnat e rimbursuara. Pritja ka zgjatur rreth tre orë, ndërkohë që pacientët janë në pritje për të marrë terapinë e tyre. Problemi nuk është thjesht koha e pritjes. Bëhet fjalë për pacientë onkologjikë, shumë prej të cilëve janë në trajtim dhe kanë nevojë që terapia të nisë ose të vazhdojë në kohën e përcaktuar nga mjeku. Është e papranueshme që pacientët dhe familjarët e tyre të qëndrojnë për orë të tëra në pritje për shkak të mungesës së një sistemi funksional dhe të organizuar për marrjen e barnave. Kërkojmë nga media që ta verifikojë këtë situatë në terren dhe nga institucionet përgjegjëse që të japin një shpjegim publik
