Kaos urban në Tiranë, Kulla miliarda lekëshe devijon rrugën

Kaos urban në Tiranë, Kulla miliarda lekëshe…

Një kullë 19 katëshe do të zërë hapësirën e rrugës dhe të shkollës ‘1 Maji’ në Bulevardin Bajram Curri

Një ndërtim shumëkatësh pritet të transformojë ndjeshëm zonën hyrëse të lagjes “Ali Demi” në Tiranë. E gjitha në kurriz të banorëve, të cilët do të vuajnë një tjetër perlë urbane, në kuadër të betonizimit total të Tiranës. Bëhet fjalë për një kullë 19 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, që do të ndërtohet në Bulevardin “Bajram Curri”, në një parcelë që përfshin edhe pjesë të rrugës dhe territorit të shkollës “1 Maji”.

Sipas dokumentacionit zyrtar, ky projekt është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe do të realizohet nga “Union Bank” në bashkëpunim me “Auto City” dhe “Arch Investor”. Të tre subjektet janë të lidhura me familjen Leka, pronare e bankës.

Leja e zhvillimit parashikon ndërtimin e godinës “Union Bank HQ Albania” me funksion administrativ. Sipërfaqja ku do të ndërtohet kulla shtrihet në një zonë prej 3.26 hektarësh, e njohur për ndërtesat e ulëta të tipit vila, por që në pjesën jugore ka pësuar zhvillime me ndërtime të larta me funksione shërbimi.

Zona ku do të ngrihet kulla përfshin edhe një nga institucionet arsimore më të njohura të Tiranës, shkollën “1 Maji”, e cila sipas dokumenteve do të preket nga ky projekt. Kjo lëvizje ka ngjallur debat për ndikimin e mundshëm në infrastrukturën arsimore dhe urbanistike të lagjes.

Projekti parashikon që 10 katet e para të kullës të përdoren si zyra, ndërsa pjesa e sipërme e ndërtesës do të shërbejë për aktivitete sociale e të tjera funksione informale. Në planifikim përfshihet ndërtimi i një bari panoramik dhe një tarrace të hapur që mund të përdoret për evente të ndryshme. Luks i shfrenuar në shërbim të pronarëve, po e gjitha kundër një zhvillimi urban të qëndrueshëm.

Me këtë projekt, “Union Bank” synon të krijojë një seli moderne që jo vetëm do të forcojë praninë e saj në tregun financiar, por nuk do t’ja dijë për pasojat urbane që ajo sjell.

Ndërhyrja në këtë zonë ngre pyetje mbi ekuilibrin mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së karakterit komunitar dhe historik të lagjeve të Tiranës. Mbetet për t’u parë reagimi i komunitetit dhe institucionet arsimore përballë këtij zhvillimi të ri urban.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit