Një operacion i Policisë së Shtetit në Vaun e Dejës ka çuar në arrestimin e një 38-vjeçari, i cili dyshohet se transportonte një minë me telekomandë të lidhur me një aparat celular, e cila mund të aktivizohej nga distanca.
Sipas policisë, i arrestuari është Euglen Buraku, 38-vjeç, banues në Spitallë të Durrësit. Ai u ndalua gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Stajkë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin lëvizte, efektivët gjetën dhe sekuestruan lëndën shpërthyese, si dhe një maskë, dy telefona celularë dhe automjetin që përdorej nga i dyshuari.
Në lidhje me këtë rast, policia ka shpallur në kërkim edhe një 34-vjeçar me inicialet E.P., banues në Durrës, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 38-vjeçarin.
Operacioni, i koduar “Remote”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër. Sipas autoriteteve, ndërhyrja bëri të mundur parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të zbardhur destinacionin dhe qëllimin e transportimit të minës, si edhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast.