
Një 23-vjeçar është ndaluar në Sarandë, ndërsa tre persona të tjerë po kërkohen, pas zbulimit të një trafiku të paligjshëm të mjeteve lundruese nga Greqia drejt bregdetit shqiptar.
Një operacion hetimor ka çuar në ndalimin e një shtetasi shqiptar të dyshuar për përfshirje në trafikimin e dy mjeteve lundruese të vjedhura në ishullin e Korfuzit dhe të sjella më pas në territorin shqiptar. Ngjarja vjen pas kallëzimit të një shtetasi grek, i cili deklaroi se mjetet i ishin vjedhur gjatë natës së 28 qershorit.
Sipas burimeve hetimore, i arrestuari është identifikuar si Denis Dauti, 23 vjeç, nga fshati Gjashtë në Sarandë. Bashkë me të, dyshohet se kanë vepruar edhe tre shtetas të tjerë: Dritan Jorgji, 48 vjeç, Antonio Jorgji, 24 vjeç – të dy banues në Sarandë – dhe Alban Kuka, 48 vjeç, nga Tepelena. Të tre këta persona janë shpallur në kërkim.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se grupi ka transportuar një gomone dhe një skaf të vjedhur nga Korfuzi drejt Sarandës, duke e shfrytëzuar zonën kufitare për të kaluar në mënyrë të paligjshme. Mjetet dyshohet se janë futur në Shqipëri përmes rrugëve të padeklaruara në kufirin detar.
Një nga mjetet e trafikuara është gjetur i fshehur në një parcelë në fshatin Vrion, në njësinë administrative Finiq. Mjeti është sekuestruar si provë materiale, bashkë me një kamion që dyshohet se u përdor për transportin e gomones nga bregdeti deri në parcelë.
Burime nga hetimi theksojnë se operacioni, që ka përfshirë disa zona të Sarandës dhe Finiqit, është zhvilluar pas një pune të detajuar hetimore, dhe pritet të ketë të tjera zhvillime në ditët në vijim. Autoritetet janë ende në kërkim të personave të shpallur në kërkim dhe po punohet për të identifikuar ndihmës të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, që do të ndjekë më tej procedurat ligjore për të katër të dyshuarit.
Lajmi mbetet në zhvillim dhe hetimet po thellohen për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij trafiku detar që përfshin kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë.