Një peshkim i jashtëzakonshëm ka ndodhur paraditen e sotme në ujërat e Vlorës, ku peshkatari me shtizë, Armando File, ka arritur të kapë një peshk gof me peshë rekord prej rreth 27 kilogramësh.
50-vjeçari ishte zhytur në zonën e njohur si “Spitaliera” pranë Radhimës, në afërsi të anijes së mbytur italiane, kur u ndesh me një tufë të madhe peshqish gof.
Pasi pikasi shënjestrën, ai arriti ta godiste njërin prej tyre me shtizë direkt në kokë. Megjithatë, nxjerrja e tij në sipërfaqe nuk ishte aspak e lehtë. Për shkak të forcës dhe përmasave të mëdha të peshkut, peshkatarit iu deshën më shumë se 30 minuta “luftë” në ujë për ta përballuar dhe për ta nxjerrë më pas në anije.
Pas kësaj aventure të suksesshme në thellësi, peshku gjigant u transportua drejt qendrës së peshkimit në Radhimë, duke tërhequr vëmendjen e të gjithë pushuesve dhe peshkatarëve të zonës.