Kapitali shqiptar lë kufijtë: investime në rritje në Kosovë, Maqedoni dhe tregje të tjera të rajonit

Kapitali shqiptar lë kufijtë: investime në rritje…

Bizneset dhe familjet shqiptare kanë investuar jashtë vendit mbi 1.5 miliardë euro në shtatë vitet e fundit, duke treguar një tendencë në rritje të transferimit të kapitalit

Investimet e shqiptarëve jashtë kufijve po njohin rritje të qëndrueshme, duke reflektuar transformimin e bizneseve dhe strategjive financiare të individëve që kërkojnë tregje më të favorshme dhe mundësi më të mëdha fitimi. Nga viti 2017 deri në 2024, investimet jashtë vendit janë rritur nga 393 milionë euro në 1.57 miliardë euro, sipas një raporti të Institutit Ndërkombëtar të Vjenës për Studime Ekonomike (wiiw).

Në këtë dinamikë përfshihen kompani të mëdha shqiptare në fusha si telekomunikacioni, ndërtimi, energjia dhe financat, të cilat kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe rajonet e tjera të Ballkanit. Këto investime realizohen përmes krijimit të degëve lokale ose bashkëpunimeve strategjike me aktorë rajonalë.

Familjet me kapital të konsoliduar ndër vite po ndjekin gjithashtu një rrugë të ngjashme. Disa prej tyre kanë zgjedhur të diversifikojnë investimet në tregje më pak të kushtueshme ose me lidhje të ngushta kulturore me Shqipërinë, si Kosova. Një tjetër faktor lehtësues ka qenë procesi i integrimit gradual në Bashkimin Europian dhe marrëveshjet e reja rajonale që kanë hapur rrugën për qarkullim më të lirë të kapitalit.

Përmirësimi i sistemit bankar vendas dhe aksesit në platforma ndërkombëtare financiare ka bërë të mundur që fondet të transferohen më shpejt dhe me më pak kosto. Disa kompani janë tërhequr nga përfitimet fiskale në vende si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku kanë zhvendosur selitë ose aktivitetin e tyre për të përfituar nga sistemi tatimor më i butë.

Një tjetër prirje e re është kapitali që lëviz drejt investimeve të drejtuara nga emigrantët shqiptarë në Itali, Zvicër dhe Gjermani. Këto investime shpesh përqendrohen në sektorët e pasurive të paluajtshme, tregtisë dhe transportit, duke krijuar një lidhje të re ekonomike mes diasporës dhe vendit të origjinës.

Megjithatë, Shqipëria ende përballet me kufizime strukturore. Kapaciteti i ulët prodhues, mungesa e korporatave të mëdha dhe aftësitë e kufizuara profesionale përbëjnë sfida serioze për të shtrirë praninë në tregjet ndërkombëtare. Për të konkurruar në sektorë me vlerë të shtuar, vendit i nevojiten reforma të thella dhe mbështetje teknike.

Në vitin 2024, investimet në dalje nga Shqipëria zënë një pjesë modeste të stokut total në Ballkanin Perëndimor, që arriti në 9.4 miliardë euro. Serbia mban vendin e parë me 5.1 miliardë euro, ndërsa Shqipëria renditet më pas me 1.6 miliardë. Ekspertët e Institutit të Vjenës nënvizojnë se për vendet e rajonit, rritja e investimeve jashtë vendit është tregues i integrimit në tregjet globale dhe kërkon përmirësim të klimës së biznesit dhe aksesit në kapital konkurrues.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit