Karantinë 14 ditore për Uzunin: sulmuesi kuqezi i Lokomotiv Zagreb u kthye nga Shqipëria

Karantinë 14 ditore për Uzunin: sulmuesi kuqezi…

Me Lokomotiv Zagreb gjërat për Myrto Uzunin po shkonin mirë, jo vetëm për vendin e tretë në kampionat, pas vetëm gjigantëve të Dinamos e Rijekës, por edhe nivelin e përfaqësimeve të bëra nga beratasi, jo pak herë i përfshirë edhe në formacionin e javës. Në 23 ndeshje, sulmuesi i Lokomotiv Zagreb ka shënuar 9 gola e ka dhënë 5 asist, por ndërprerja e kampionatit erdhi kur nuk duhej për lojtarin e kombëtares kuqezi. Uzuni ishte pranë familjes në Shqipëri me lejën e klubit kroat, e tashmë duhet të stërvitet në izolimin 14 ditor sipas protokollit të sigurisë. “Stërvitjen e bëj tashmë në apartamentin tim, pasi u ktheva nga Shqipëria dhe duhet të qendëroj në karantinë. Më vjen keq për ndërprerjen e kampionatit sepse isha në formë të mirë, por tani së pari duhet të kalojmë këtë pandemi globale dhe më pas të mendojmë për futbollin”.

E kështu, një mendim për kombëtaren nuk mund të mos i kalonte sulmuesit, që nga i pazëvendësueshëm nën drejtimin e Christian Panucci, nga dita e debutimit, ka humbur disi në hierarkitë e Edy Rejas, ndoshta edhe peng i skemës së teknikut. E megjithatë ajo që kërkon 24 vjecari është të shënojë sa më shumë, pjesa tjetër nuk i takon atij: “Me rikthimin e kampionatit shpresoj të gjejë formën më të mirë e të shënoj sa më shumë gola pasi kjo është detyra ime”.

Ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve Europiane, edhe në Kroaci pritet tashmë vendimi i qeverisë për të rikthyer skuadrat në fushë. Kampionati është ndërprerë që në mars, por Uzuni shpreson tashmë që më e keqja të ketë kaluar dhe shumë shpejt futbolli do të vihet përsëri në lëvizje: “Situata në Kroaci është e qetë dhe uroj ti kthehemi normalitetit në javët në vazhim pasi lëvizje njerëzish ka por qeveria kroate vazhdon ti ketë shumë gjëra të kufizuara”, përfundoi Uzuni.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit