Kardinali shqiptar ishte me Mbretin Charles, hajdutët shembin murin dhe i grabisin shtëpinë

Kardinali shqiptar ishte me Mbretin Charles, hajdutët…

Një grabitje e pazakontë është regjistruar në banesën e kardinalit shqiptar Ernest Simoni, në zemër të Firences, ndërsa 97-vjeçari ndodhej në Londër, ku kishte zhvilluar një takim me Mbretin Charles III.

Autorët kanë përdorur një mënyrë të pazakontë për të hyrë në apartamentin që ndodhet në Piazza Duomo: kanë dëmtuar murin pranë derës dhe më pas kanë arritur të hapin me forcë derën e blinduar. Pas kontrollit të plotë të banesës, grabitësit janë larguar me para dhe sende me vlerë, të cilat sipas raportimeve arrijnë në rreth 30 mijë euro.

Sipas Corriere Fiorentino, apartamenti ndodhet në një banesë në pronësi të Kurisë dhe kardinali jeton aty së bashku me nipin e tij, Tonin Simoni, restaurator që ushtron aktivitetin në Firence.

Në momentin kur ndodhi grabitja, banesa ishte bosh. Kardinali ndodhej në Londër, ndërsa Tonin Simoni dhe bashkëshortja e tij kishin dalë rreth orës 13:00. Kur u kthyen, rreth orës 23:00, gjetën apartamentin të përmbysur.

Muri pranë hyrjes ishte dëmtuar rëndë, ndërsa dera e blinduar ishte çarë dhe hapur me forcë. Hajdutët kishin kontrolluar praktikisht çdo ambient të shtëpisë, duke hapur garderobat, valixhet, sirtarët dhe kasetat në kërkim të sendeve me vlerë. Dy daltat që dyshohet se janë përdorur për të hyrë në banesë u gjetën të braktisura në korridorin e pallatit.

Një nga elementët që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është mënyra dhe koha e realizimit të grabitjes. Dëmtimi i murit dhe hapja e derës së blinduar do të kërkonin punë dhe, mbi të gjitha, do të shkaktonin zhurmë. Megjithatë, deri tani nuk raportohet që ndonjë prej banorëve të pallatit të ketë vënë re diçka të dyshimtë. As prifti që jeton në katin poshtë nuk ka dëgjuar zhurma.

“Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë. Mendonim se ishim të sigurt. Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin”, ka deklaruar Tonin Simoni.

Ai dyshon se grabitësit e kishin studiuar më parë banesën dhe lëvizjet e familjarëve.

“Jam i bindur se na kishin vëzhguar. E dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi”, tha ai.

Mes sendeve të marra nga banesa ishin para cash, sende floriri, bizhuteri të bashkëshortes së Toninit, medalje dhe një vulë prej ari. Grabitësit morën gjithashtu edhe lejen e qëndrimit të kardinalit Ernest Simoni, e cila mbahej në një prej sirtarëve.

“Vjedhja e këtij dokumenti është e çuditshme. Nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë”, u shpreh nipi i kardinalit.

Në vendngjarje mbërritën karabinierët, ndërsa specialistët e policisë shkencore kryen ekzaminimet për mbledhjen e gjurmëve të mundshme të autorëve. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Piazza Duomo, e cila konsiderohet ndër pjesët më të monitoruara të Firences.

“Piazza Duomo është zona më e mbikëqyrur e qytetit. Është e pabesueshme që dikush arriti të bënte një gjë të tillë pikërisht këtu”, tha Tonin Simoni.

Pas zbulimit të grabitjes, ai kontaktoi menjëherë në telefon kardinalin, i cili ndodhej në Londër. Por ajo që e shqetësoi më shumë Ernest Simonin nuk ishin paratë apo sendet me vlerë që mungonin.

Sipas nipit të tij, pyetja e parë e kardinalit ishte nëse hajdutët kishin prekur objektet fetare që ai mban në dhomën e tij, e cila i ngjan një kapelë të vogël.

“Ai më pyeti për statujën e Zojës së Medjugorjes dhe për atë të Atë Pios. Kur i thashë se ishin të gjitha në vend, ai më tha: ‘Atëherë, pak rëndësi ka’”, tregoi Tonin Simoni.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit