“Karrotrecët heqin makinat nga rrugët e Vlorës, paratë përfundojnë te privati”

“Karrotrecët heqin makinat nga rrugët e Vlorës,…

Një efektiv policie, i angazhuar gjatë sezonit turistik në Vlorë, ka ngritur akuza të rënda lidhur me mënyrën se si po kryhet heqja e automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt në rrugët e këtij qyteti.

Ai thotë se efektivët e policisë, përveç shërbimeve të gjata prej 12 orësh, po angazhohen edhe në procedurat për largimin e automjeteve me karrotrec. Efektivi thotë se për çdo automjet të tërhequr paguhet rreth 100 mijë lekë dhe se përfitimet nuk përfundojnë në arkën e shtetit, por te operatorë privatë.

Denoncuesi shprehet gjithashtu se automjetet e larguara dërgohen në ambiente parkimi private dhe se ekzistojnë lidhje mes operatorëve të karrotrecave, pronarëve të parkimeve dhe personave brenda strukturave të policisë. Ai ngre dyshime edhe për përfshirjen e drejtuesve të strukturave të qarkullimit rrugor në këtë skemë.

Është turp që makinat hiqen vetëm për të rrjepur qytetarët”, shprehet efektivi, duke shtuar se gjobat vendosen dhe më pas automjetet tërhiqen nga karrotrecat.

Sipas tij, situata bëhet veçanërisht e dukshme gjatë orëve të mbrëmjes, kur në zona të ndryshme të Vlorës mblidhen disa karrotreca dhe largohen automjetet e parkuara.

Vetëm të shikosh në darkë çfarë bëhet. Mblidhen mbi shtatë karrotreca dhe marrin makinat zvarrë”, thotë ai.

Efektivi, i cili thotë se është i angazhuar në Vlorë vetëm gjatë sezonit, shprehet se i vjen keq për atë që e konsideron një “vjedhje të hapur” ndaj qytetarëve dhe pretendon se automjetet po tërhiqen në pjesë të ndryshme të qytetit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit