Kastriot Myftaraj: Blushi shtyu ambasadoren Kim në “greminë” duke shtyrë mbi të gazetaren

Kastriot Myftaraj: Blushi shtyu ambasadoren Kim në…

Kastriot Myftaraj

Historia komike sesi Yuri Kim u bë rasti i parë në historinë e diplomacisë botërore që një ambasador intervistohet nga një gazetar i kronikës së zezë, madje për çështje politike (Anila Hoxha e Top Channel)

Në fillim të kësaj jave Top Channel i kërkoi një intervistë ambasadores amerikane në Shqipëri Yuri Kim. Të dy palët u dakordësuan dhe intervista do të bëhej në 10 nëntor. Intervistën do ta bënte drejtori i përgjithshëm i TCH Ben Blushi. Por intervista u bë çuditërisht nga gazetarja e kronikës së zezë Anila Hoxha, të cilën tre ditë para intervistës e pamë të shante një polic rrëzë një gremine në shpatet e Dajtit ku kishte shkuar të ndiqte një operacion policor.

Me këtë rast Anila u bë lajm kur iu rrezikua seriozisht jeta kur një polic shtyu një kameraman buzë një gremine dhe kameramani nga ana e tij shtyu pa dashje Anila Hoxhën e cila do të kishte rënë në greminë nëse nuk do të kishte qenë një pemë midis saj dhe honit.

Në SHBA, Europë dhe vende të tjera të botës një gazetareje që kalon një përvojë të tillë traumatike i jepet së paku një javë pushim për t’ u qetësuar dhe i bëhet terapi me psikologë. Anilën e dërguan të intervistojë ambasdoren amerikane katër ditë pas ngjarjes, madje për çështje politike të cilat nuk janë specialiteti i saj.

Arsyeja se përse Anilës ia ngarkuan këtë detyrë është se në momentet e fundit ambasadorja amerikane kërkoi që intervistuesi i saj të mos ishte Ben Blushi. E gjithë kjo ishte një intrigë e Guri Leklotit, punonjësit shqiptar prej tridhjetë vjetësh të ambasadës amerikane, i njohur si Guri që ka pritur dhe përcjellë të gjithë ambasadorët amerikanë që kanë ardhur këta tridhjetë vjet në Shqipëri.

Disa orë para intervistës Guri i tha ambasadores se Blushi nuk ishte njeriu i përshtatshëm si intervistues pasi në vitin 2000 ai ishte shkarkuar zëvendsministër i punëve të jashtme sepse i kishte dhënë shtypit transkriptin e një bisede konfidenciale që pati Sekretarja e Departamentit të Shtetit Albright gjatë vizitës së saj në Shqipëri në atë vit.

Guri e bëri këtë gjë për llogari të Edi Ramës i cili nuk do që Blushi të rifitojë profil të lartë politik, cfarë do t’ i sillte intervista me ambasadoren amerikane.

Kështu, Blushi u dogj si intervistues, por ai nga ana e tij nuk lejoi që asnjë nga gazetarët politikë të bënte intervistën dhe në vend të tyre dërgoi Anila Hoxhën.

Kështu mund të thuhet se Blushi u soll si ai polici në Dajt që shtyu Anila Hoxhën në greminë duke shtyrë mbi të kameramanin. Blushi shtyu ambasadoren Kim në “greminë” duke shtyrë mbi të Anila Hoxhën. Dhe në këtë rast nuk pati “pemë” që ta mbronte ambasadoren.

Ambasadorja bëri marrëzinë e çuditshme që të bënte një intervistë për çështje politike dhe gjeopolitike me një gazetare të kronikës së zezë. Me këtë Yuri Kim hyri në librin e çudive anekdotike të diplomacisë botërore. E mjera Anilë që brenda katër ditëve e shtynë dy herë drejt greminës, një herë fizikisht, një herë profesionalisht. Jo çuditërisht për këtë rastin e dytë Anila nuk u indinjua fare, madje duket se është krenare që intervistoi ambasadoren.

Asnjë nga ambasadorët e huaj që janë në Shqipëri nuk do të kishte pranuar që të intervistohej nga një gazetare e kronikës së zezë për çështje politike, madje nuk do të kishte pranuar që të intervistohej nga një gazetar i tillë në çdo rast.

Serioziteti i një ambasadoreje që i jep intervistë një gazetareje të kronikës së zezë, aq më tepër intervistë për çështje politike, shkon në zero absolute.

Ironikisht, gjatë intervistës ambasadorja nuk tha asgjë mbi përvojën e frikshme që pati intervistuesja e saj e dhunuar nga një polic deri në rrezikimin serioz të jetës së saj. Ky është një tregues i qartë i përkushtimit të rremë amerikan ndaj zbatimit të ligjeve, mbrojtjes së medias së lirë dhe gjërave të tilla për të cilat dëgjojmë të na flitet çdo ditë nga ambasadorja Kim./Kastriot Myftaraj

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit