Kastriot Myftaraj: Grupi i tifozëve “Plisat” është bërë dora e zgjatur e shërbimeve të fshehta serbe

Kastriot Myftaraj: Grupi i tifozëve “Plisat” është…

Gazetari Kastriot Myftaraj përmes një analizë të shpërndarë në Facebook, shkroi se grupoi i tifozëve “Plisat” është dora e zgjatur e shërbimeve të fshehta serbe. Ai ka komentuar ndeshjen e  djeshme mes Shqipërisë dhe Polonisë, ku një grup tifozësh kanë gjuajtur me shishe në fushë kundrejt lojtarëve polak.

Statusi i plotë:

Grupi i tifozëve “Plisat”, pa dashjen e anëtarëve, por me dashjen e krerëve të tij, është bërë dora e zgjatur e shërbimeve të fshehta serbe

“Plisat” janë një grup i organizuar i tifozëve në Kosovë të cilët marrin bileta nga Federata Shqiptare e Futbollit për ndeshjet e kombëtares shqiptare, të cilat bileta pastaj shiten ekskluzivisht për anëtarët e grupit.

Por një status i tillë zyrtar e ngarkon grupin e tifozëve dhe posaçërisht krerët e tij me përgjegjësi të caktuara. Në Europë edhe kanë ndodhur incidente të shkaktuara nga anëtarë të grupeve të organizuar të tifozëve siç ndodhi dje në Tiranë në ndeshjen Shqipëri-Poloni, ku anëtarë të grupit “Plisat” hodhën sende në fushë duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes me të gjithë pasojat përkatëse.

Por në këto raste grupi i organizuar i tifozëve mban një qëndrim zyrtar me deklarata publike, pikësëpari duke kërkuar falje për sjelljen e disa anëtarëve të tij, si dhe duke e dënuar këtë sjellje. Pastaj grupi merr vendimin për përjashtimin e autorëve të akteve.

Asgjë të tillë nuk ka bërë Grupi “Plisat” pas asaj që ndodhi mbrëmë. Asnjë kërkesë faljeje, asnjë deklaratë për dënimin e akteve, asnjë njoftim se autorët do të përjashtohen nga grupi.

Ky mosqëndrim është në fakt një qëndrim që do të thotë se grupi e merr përsipër përgjegjësinë për sjelljen e disa anëtarëve të tij dje në Tiranë.

Kur dënohet kombëtarja e Shqipërisë, turpi bie mbi flamurin shqiptar. “Plisat” me sjelljen e tyre turpëruan flamurin shqiptar.

Grupi “Plisat” në faqen e tij zyrtare në Facebook, në 9 tetor, pra tri ditë para ndeshjes postoi një status me këtë përmbajtje: “POLAKT NA SI DOJM”.

Arsyeja nuk thuhet por dihet se “Plisat” nuk i duan polakët sepse tifozët polakë të “Legias” në një ndeshje kanë pasur një poster ku shkruhej se “Kosova është Serbi”.

Dhe që nga ky moment “Plisat” iu shpallën luftë polakëve.

Polonia është vendi i parë sllav që njohu pavarësinë e Kosovës që në 26 shkurt 2008, nëntë ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë. Polonia ka kontigjentin e gjashtë për nga numri i ushtarëve në KFOR dhe të pestin ndër vendet e NATO-s. Pra janë serbët ata që kanë arsye të thonë se nuk i duan polakët.

E megjithatë janë “Plisat” shqiptarë të Kosovës ata të cilët nuk i duan polakët.

“Plisat” erdhën posaçërisht në Tiranë, në 2015 kur “Legia” e Varshavës luante kundër “Kukësit” për t’ u përleshur me tifozët polakë dhe për të hedhur gurë në fushë.

Atëherë “Plisat” i prenë veshin një tifozi polak, një veprim barbar ky që u bë lajm ndërkombëtar. Pasojat për sjellje të tilla të tifozëve dihen, gjoba dhe dënime të tjera.

Statusi i 9 tetorit në faqen e “Plisave” ishte sinjali për sulm ndaj polakëve në 12 tetor në Tiranë.

Nuk është hera e parë që Grupi “Plisat” kryen akte të dhunshme me pasoja të rënda në ndeshjet e kombëtares shqiptare.

Në 2017 “Plisat” shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes Itali-Shqipëri në Palermo duke hedhur fishekzjarre dhe me këtë rast grupi deklaroi këtë veprim e bëri si ndëshkim ndaj FSHF që nuk i dha bileta grupit për ndeshjen Shqipëri-Izrael.

Arsyeja e pathënë për të cilën grupit nuk iu dhanë bilëta për ndeshjen me Izraelin është se kishte dyshime që anëtarë të tij do të kryenin akte të dhunshme me motive islamike gjatë ndeshjes.

Që pas asaj që ndodhi në Palermo grupit “Plisat” duhet t’ i ishte ndërprerë partneriteti me FSHF dhe të ishte ndaluar prania e tij në stadiumet e Republikës së Shqipërisë. Por nuk ndodhi kështu.

Edhe FSHF ka përgjegjësi kur nuk reagon ndaj grupeve të organizuar të tifozëve me të cilët ka partneritet.

Serbia përdor shumë lloje mënyrash në luftën e saj të posaçme kundër shqiptarëve.

Pas kësaj që ndodhi mbrëmë FSHF duhet të marrë një vendim për përjashtimin përgjithmonë nga stadiumet e Republikës së Shqipërisë të grupit të tifozëve “Plisat”, si emërtim dhe si individë.

Shërbimet e fshehta serbe sigurisht që përpiqen që të marrin nën kontroll edhe grupet e organizuar të tifozëve për t’ i përdorur ata për të dëmtuar kombëtaren shqiptare të futbollit që shihet nga serbët si shënjestër që duhet goditur në mënyra të ndryshme për shkak të simbolikës që përbën. Heshtja e krerëve të “Plisave” për atë që ndodhi dje në Tiranë, si dhe akte të ngjashme më të hershme janë tregues se “Plisat” janë bërë, pa dijeninë e anëtarëve të tyre, por me dijeninë e krerëve të tyre, dora e zgjatur e shërbimeve të fshehta serbe.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit