Kastriot Myftaraj: Ngjela na provon çdo ditë se nuk është jurist por demagog politik

Kastriot Myftaraj: Ngjela na provon çdo ditë…

Kastriot Myftaraj

Si mashtron ish-oficeri i Ministrisë së Brendshme komuniste Spartak Ngjela, në rolin e dyfishtë prokurorit të vetëshpallur amerikan kundër Sali Berishës dhe avokatit statutor të Bashës

Spartak Ngjela ndonëse vetë zyrtarisht është kryetar i një partie që ka qenë në koalicion me PS-në deri kur Rama e flaku tej se nuk i duhej më, merret ditë e natë ekraneve me punët e një partie tjetër opozitare, PD dhe posaçërisht me ish-kryetarin e saj Sali Berisha.

Ngjela e ka nisur karrierën juridike si hetues në një kohë që hetuesia ishte pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës komuniste. Hetuesit në atë kohë ishin oficerë të kësaj ministrie.

Meqënëse organet e së ashtuquajturës drejtësi komuniste ishin zyrtarisht armë në luftën politike, jurisprudenca komuniste kishte në bazë gënjeshtrën, shtrembërimin e fakteve madje krijimin e fakteve të rreme, të gjitha këto në shërbim të propagandës dhe luftës politike. Kjo ishte jurisprudenca sovjetike e krijuar nga Vishinski. Ky është formimi i Ngjelës dhe këtë mënyrë të menduari ai e ka edhe sot.

Më poshtë do të listoj disa nga çuditë juridike të llojit të jurisprudencës sovjetike të Ngjelës:

-Vendimi i Departamentit të Shtetit ndaj Berishës është vendim administrativ dhe si i tillë është i ankimueshëm në gjykatë. Meqënëse Sali Berisha nuk e ka ankimuar në gjykatë vendimin kjo do të thotë pranim fajësie. Sali Berisha e la të kalojë afatin sepse ishte fajtor.

Kështu thotë Ngjela. Edhe juristi më fillestar e di se kur një vendim është i ankimueshëm kjo gjë shkruhet në fund të tij, së bashku me afatin dhe llojin e gjykatës ku mund të bëhet ankimi. Asgjë e tillë nuk ekziston në njoftimin e Blinken që nuk është fare vendim, por thjesht njoftim.

Le të na tregojë Ngjela vendimin. Blinken nuk ka nxjerrë vendim sepse vendimi duhet të jetë i arsyetuar dhe arsyetim juridik do të thotë prova, të cilat Blinken nuk i jep.

-Vendimi i Blinken, ka thënë Ngjela, do të votohet në Kongresin amerikan brenda 15-20 ditëve (këtë e ka thënë në 5 nëntor) dhe atje do të paraqiten prova.

Pra duhet të presim deri në 25 nëntor, e shumta. Por nuk është nevoja të presim sepse kalendari i punimeve të dy dhomave të kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit është i publikuar për këtë periudhë dhe nuk ka në agjendë asnjë votim për ndonjë vendim të Blinken për Sali Berishën.

Në 25 nëntor Ngjela do ta harrojë se çfarë ka thënë dhe do të thotë një gënjeshtër tjetër.

Arsyeja se përse Blinken nuk nxjerr një vendim kundër Berishës, të bazuar në prova është se në çdo cështje korrupsioni të Berishës ka përzierje amerikane.

Ngjela me sa duket ka harruar se pas futjes së emrit të Berishës në listën e zezë amerikane ka thënë se SHBA do të kërkojnë ekstradimin e Sali Berishës që të shkojë me pranga në Amerikë për t’ u gjykuar për krime federale dhe të bëjë burg atje. Atje do t’ i tregohen dhe provat, thoshte Ngjela. Më pas doli se SHBA nuk bënë kërkesë për ekstradimin e Berishës, por vetëm kërkesë gojore në zyrën e Bashës që ai të mos ishte deputet i PD-së.

Përveçse prokurori kunër Berishës, Ngjela është bërë edhe avokat statutor i Bashës.

-Ngjela thotë se firmat e anëtarëve të PD që ka mbledhur Berisha për thirrjen e Kuvendit duhet të jenë me deklaratë noteriale ndryshe nuk kanë vlerë.

Këtu Ngjela pikësëpari duhet të na tregojë praktikën e partisë që drejton, sesi bëhen kongreset e saj, që nuk janë bërë kurrë. Ngjela harron se është kryetar partie, dhe flet sikur është disident antiberishian brenda PD-së.

Dhe sa për atë që thotë Ngjela, firmat merren me deklaratë noteriale vetëm kur themelohet partia, jo gjatë veprimtarisë së saj.

Gënjeshtrat “juridike” të Ngjelës nuk kanë fund por këtu veçova disa nga më absurdet.

Ngjela thjesht na provon çdo ditë se nuk është jurist por demagog politik./

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit