'Kemi 1000 roje bregdetare!'/ A e di ministri Klosi se dje në Shëngjin u mbyt një 12-vjeçar?

‘Kemi 1000 roje bregdetare!’/ A e di…

Bregdeti shqiptar është në ditët më të zeza të tij, me ndotje, i betonizuar në një pjesë të madhe, i pa sistemuar, por edhe i pasigurt.

Megjithatë qeveria e Rilindjes dhe ministrat e saj të paaftë vijojnë talljen me qytetarët, duke mashtruar me kullat e sigurisë, standardet dhe rojet e plazhit që janë vetëm punësime partie.

Gjatë muajit të fundit nuk kanë qenë të pakta rastet e mbytjeve nëpër plazhet e vendit, edhe pse pushuesit kanë qenë sporadik.

Jo më larg se dje, ndodhi një tjetër mbytje tragjike e një 12-vjeçari në plazhin e Shëngjinit në Lezhë.

Ngjarja tronditi gjithë pushuesit, pasi sipas një dëshmitari në vendngjarje, e gjithë fatkeqësia ndodhi pasi në plazh nuk ishte asnjë roje.

Ai këtë e tregoi edhe me pamje nga vendngjarja, ku i mituri ishte në det dhe askush nuk shkonte për ta shpëtuar.

Ngjarja e rëndë, e cila dje futi në zi një familje, duhet të bjeri menjëherë në veshët e ministrit të Turizmit Blendi Klosi.

Ky i fundit, pak ditë më parë deklaroi se, numri i rojeve të plazhit ka shkuar në 1000 persona.

Ky numër, mesa duket shihet vetëm nga Klosi, pasi që me fillimin e sezonit turistik, pothuajse çdo ditë regjistrohet nga një i mbytur.

Kudo që shkon, evidenton vetëm kulla boshe të sajuara keq me dërrasa e trarë, dhe në asnjë mënyrë të përshtatshme për të qëndruar rojet në to.

Po ashtu në asnjë plazh nuk ka roje, edhe pse shumë biznese private që vendosin çadra dhe shezlonge e kanë të detyruar nga ligji mbajtjen e rojeve të plazhit.

Por Klosi vijon me propagandë të shëmtuar në një kohë që plazhet po marrin shumë jetë njerëzish të pafajshëm.

Dhe sa të tjerë duhet të mbyten, zoti ministër, që rojet të jenë personazhe të vërtetë në krye të detyrës në ndihmë të pushuesve dhe jo në lista të punësuarish nga Forumi rinor i PS-së?!

/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit