“Kemi një muaj çdo ditë në mal duke fikur zjarre, s'kemi marrë ende pagën”

“Kemi një muaj çdo ditë në mal…

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punonjës i shërbimit zjarrfikës në Tiranë, i cili pretendon se punonjësit e zjarrfikëses në stacionet e Tiranës ende nuk kanë marrë pagën e muajit gusht.

Sipas denoncuesit, paga duhej të ishte kaluar brenda datës 4, por deri në mbrëmjen e 8 shtatorit ajo ende nuk ishte kaluar në llogaritë e punonjësve.

“Kemi një muaj çdo ditë në mal duke fikur zjarre. Edhe pagën se kemi marrë akoma”, shprehet denoncuesi, duke ngritur shqetësimin për vonesën e pagave të punonjësve që gjatë muajit të kaluar kanë qenë në terren për përballimin e zjarreve.

Ai thotë se punonjësit janë interesuar pranë financës për të mësuar arsyen e vonesës, por sipas tij, përgjigjja ka qenë se nuk kanë informacion se kur do të kalojnë pagat.

Denoncuesi shprehet gjithashtu se vonesa po krijon vështirësi për disa prej punonjësve, të cilët kanë detyrime mujore, qira dhe fëmijë për të mbajtur.

“Ka çuna që kanë për të paguar qera, kanë fëmijë e të tjera”, shkruan ai.

Punonjësi ia atribuon situatën kryebashkiakut Erion Veliaj, duke pretenduar se pagat po mbahen peng prej tij. Ky është një pretendim i denoncuesit, të cilin JOQ Albania nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur.

Për të mbështetur denoncimin e tij, ai ka deklaruar se do t’i dërgojë redaksisë dokumentacionin bankar që, sipas tij, tregon se paga e gushtit nuk është kaluar ende.

JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga Bashkia Tiranë lidhur me vonesën e pretenduar të pagave dhe arsyen e saj.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit