Një grup xhirimi i Ora News është kërcënuar me jetë gjatë kohës që ishte duke kryer detyrën në fshatin Zbarqe, në periferi të Tiranës.
Gazetarja dhe operatori kishin shkuar në zonë pas një denoncimi të banorëve, të cilët pretendonin se një burim ujor historik, me rëndësi për komunitetin, ishte dëmtuar.
Teksa po realizonin kronikën dhe dokumentonin situatën në terren, pjesëtarët e grupit të xhirimit janë përballur me kërcënime me jetë.
Për ngjarjen është bërë kallëzim penal në Policinë e Tiranës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Në lidhje me rastin, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Sinan Hamdi Idrizi, i dyshuar për kërcënimin e gazetares dhe operatorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Ngjarja ngre sërish shqetësimin për sigurinë e gazetarëve në terren, veçanërisht gjatë raportimit të problematikave të denoncuara nga komunitetet lokale.