Kërcënon Rama: Marrëveshja për Zgjedhoren, në fije të perit. Apeli për Bashën

Kërcënon Rama: Marrëveshja për Zgjedhoren, në fije…

Kryeministri Edi Rama foli me tone të ashpra sot në Kuvend, lidhur me marrëveshjen për Reformën Zgjedhore.

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë tha se realizimi i paktit të 5 qershorit është në fije të perit. Ai i bëri thirrje opozitës dhe kryetarit të PD, Lulzim Basha që t’i përmbahet asaj që është arritur, përndryshe, shtoi kreu i qeverisë, ajo marrëveshje do të griset.

“Mos na tundoni se për atë zot ajo marrëveshje ka krijuar kushte pozitive në raport me klimën dhe në raport me partnerët. Por, për mua nuk është reformë, është një kthim pas i vetëdijshëm nga të gjithë ne që jemi në këtë krah. E kemi bërë që Shqipëria të mos bëhet prap muhabet kafenesh lart e poshtë nëpër Europë.

Por, një fije peri e ndan realizimin e asaj marrëveshje, nga grisja e asaj marrëveshje. Këtë fije peri ta ruajë Lulzim Basha bashkë me Peço Vasilin e me të gjithë ata. Se nuk ia kemi për borxh të na sulmojë çdo ditë, të shpifin çdo ditë. Dua apo s’dua unë, është fakt që shumica dërrmuese e shqiptarëve as nuk e pëlqen atë marrëveshje dhe nuk i duan listat e mbyllura”, u shpreh Rama.

Listat e hapura
Rama foli edhe për listat e hapura, duke deklaruar se nuk janë tabu për PS-në.

“Listat e hapura për mua nuk janë tabu. Është e pavërtetë që listat e hapura kthejnë kryetarin e një partie në një njeri si të gjithë të tjerët dhe i heqin përgjegjësinë për listën e deputetëve. Sepse në të gjitha rastet përgjegjësia e lidershipit është aty“

“Doni të diskutoni i diskutojmë po as nuk mund të na impononi dhe mos u bëni si ata që ikën se me kërcënime e shantazhe, PS-në e tundoni tju tregojë sa të vegjël jeni. Është koha të gjejmë një zgjidhje në shqip dhe jo në anglisht. U them atyre kanakarëve që thonë se parlamenti është i Edi Ramës dhe Taulant Ballës në fakt unë kam më tepër respekt për ju sesa ata që janë jashtë. Këtu ka lloj lloj tipash por kur nuk më duket që këtu janë larguar ata të Harvardit dhe kanë ardhur ca hamej”.

Koalicionet
Duke folur për koalicionet parazgjedhore, Rama foli për një deputet të Kuvendit i cili siç tha ai nuk ka votuar as veten e tij.

“Kur vjen puna tek koalicionet mos më bëni të flas, është një deputet këtu që është produkti më domethënës i arsyes pse koalicionet nuk janë unitet demokratik në program. Është njëri që nuk ka votuar as veten e vet. Ka ardhur këtu deputet i PD-së, ka bërë fushatë për mua, për PS-së, dhe mes dy kohërave e ka kapur dhe ai një drejtori”, tha Rama.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit