Policia franceze ka arrestuar një shtetas shqiptar të dyshuar si anëtar i grupit ekstremist të majtë të njohur si “Banda e Çekiçit”. Sipas medias gjermane BILD, i arrestuari, i identifikuar si Rexhino A., ishte në kërkim me urdhër arresti nga autoritetet gjermane.
I njohur edhe me nofkën “Gino”, Rexhino A. dyshohet se në shkurt të vitit 2023, së bashku me ekstremistë të tjerë të majtë të së ashtuquajturës “Hammerbande”, mes tyre Maja T. (24 vjeç) dhe Lina E., ka marrë pjesë në sulme ndaj neonazistëve në Budapest, ku disa persona mbetën të plagosur rëndë.
Shqiptari ishte arrestuar edhe më parë, në muajin nëntor, por ishte liruar në pranverën e vitit 2025. Në atë periudhë, Franca kishte refuzuar kërkesën për ekstradimin e tij drejt Hungarisë.
Ndërkohë, Maja T. po gjykohet aktualisht në Hungari si anëtare e “Bandës së Çekiçit”. Në Gjermani, në qytetin e Dresdenit, po zhvillohet një proces gjyqësor ndaj kreut të dyshuar të këtij grupi, Johann Guntermann (32 vjeç), ndërsa Lina E. është dënuar tashmë me disa vite burg.
Avokati i Rexhino A. ka shprehur shqetësimin se, nëse klienti i tij transferohet në Gjermani, ai mund të ekstradohet më pas në Hungari, një skenar i ngjashëm me atë të Maja T. Kjo e fundit u transferua në Hungari në verën e vitit 2024, por më vonë Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë e shpalli këtë transferim të paligjshëm.