
Lefter Koka ka nisur një “mal” me kërkesa drejtuar organeve të drejtësisë për të përfituar lirim nga burgu. Arsyetimi i tij lidhet me gjendjen shëndetësore, ku Koka thotë se ndien shqetësime nga zemra. Madje në seancën e shkuar gjyqësore ku Lefter Koka ishte i pranishëm, pas deklarimeve ai u largua me ambulancë nga salla e gjyqit. Lefter Koka u dërgua në spital pasi gjatë seancës ndjeu sërish shqetësime në zemër.
Së fundmi, Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të mjedisit, Lefter Koka për lirimin nga burgu. Koka bëri kërkesën me arsyetimin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, kërkesa e cila i është rrëzuar. Duket se dhe Gjykata e Lartë nuk e beson ose më saktë nuk është e bindur se gjendja e ish-ministrit është aq e rënduar sa të lirohet nga burgu.
Lefter Koka akuzohet për “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion”. Hetimet për inceneratorin e Elbasanit janë të parat që përfundojnë nga SPAK, teksa në proces përfundimtar është edhe ai i Fierit.