Kërkonte të investonte në Shqipëri, zhduket pa lënë gjurmë biznesmenia kineze

Kërkonte të investonte në Shqipëri, zhduket pa…

Prej më shumë se një muaji, autoritetet greke po hetojnë zhdukjen e 50-vjeçares kineze Yu Ting, një çështje që po ndërlikohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa hetimet janë shtrirë në disa pista, në fokus kanë hyrë edhe aktivitetet e saj në Shqipëri, ku kishte siguruar leje qëndrimi dhe po eksploronte mundësi investimi.

Sipas mediave greke, Yu Ting u largua nga banesa e saj në Artemidë në mëngjesin e 20 majit, rreth orës 10:05, me destinacion qendrën e Athinës. Familjarët kanë deklaruar se ajo do të mblidhte qiratë e disa apartamenteve që kishte dhënë me qira për shtetas kinezë. Pas zbritjes nga autobusi, çdo kontakt me të u ndërpre dhe që prej asaj dite nuk është parë më.

Bashkëshorti i saj, Vasilis Karavasilis, përjashton mundësinë që 50-vjeçarja të jetë larguar me dëshirë. Sipas tij, dyshimet kryesore janë se ajo mund të jetë rrëmbyer ose vrarë, megjithëse deri tani nuk ka prova që të çojnë në një përfundim përfundimtar.

Gjatë hetimeve është zbuluar se më 17 janar 2026 Yu Ting ishte pajisur me leje qëndrimi njëvjeçare nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Vlorë. Dokumenti ishte lëshuar për shkak të interesit të saj për të investuar në Shqipëri.

Sipas dëshmive të administruara nga autoritetet, biznesmenia kineze po shqyrtonte ndërtimin e një impianti për prodhimin e ujit të ambalazhuar në zonën e Bogovës. Ajo kishte vizituar dy herë një burim uji në këtë zonë, duke u prezantuar si përfaqësuese e një grupi investitorësh kinezë.

Një agjente shqiptare e pasurive të paluajtshme, e cila kishte bashkëpunuar me Yu Ting, deklaroi për televizionin grek “MEGA” se projekti nuk u realizua, edhe pse interesi për investimin kishte qenë konkret.

Lidhjet e saj me Shqipërinë dolën sërish në pah gjatë hetimeve për një takim të zhvilluar vetëm katër ditë para zhdukjes. Në këtë takim, sipas mediave greke, morën pjesë Yu Ting, agjentja shqiptare e pasurive të paluajtshme, një shtetas kinez, një prift dhe një ish-oficer policie.

Prifti, i cili ishte i pranishëm në takim, ka deklaruar se biseda kishte në qendër investimet dhe pronat. Ai tha se agjentja shqiptare e kishte prezantuar Yu Ting si përfaqësuese të investitorëve të pasur kinezë, të interesuar për blerjen e tokave, hoteleve dhe pasurive të tjera në Greqi.

Edhe agjentja shqiptare konfirmoi se bashkëpunonte me 50-vjeçaren që prej vitit 2022. Sipas saj, gjatë kësaj periudhe u janë prezantuar investitorëve kinezë mbi 20 prona, por asnjë prej negociatave nuk u konkretizua me marrëveshje.

Interesin e Yu Ting për Shqipërinë e ka konfirmuar edhe motra e saj. Ajo ka dëshmuar se në fund të muajit prill, 50-vjeçarja i kishte treguar se planifikonte të udhëtonte drejt Shqipërisë për të parë disa parcela toke dhe se tashmë ishte pajisur me leje qëndrimi njëvjeçare.

Në të njëjtën kohë, hetuesit po verifikojnë edhe një pistë tjetër që lidhet me një konflikt biznesi në Athinë. Sipas raportimeve, Yu Ting ishte përfshirë në negociata për blerjen e një karburanti. Një shtetase tjetër kineze pretendon se është mashtruar prej saj dhe partnerit të saj, pasi kishte investuar 100 mijë euro, të marra hua nga familjarë dhe miq, ndërsa transaksioni nuk u realizua kurrë.

Policia greke vijon hetimet në disa drejtime, ndërsa deri më tani nuk përjashtohet asnjë skenar për fatin e biznesmenes kineze, zhdukja e së cilës mbetet ende një mister.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit