Këshilltarja e re e Ramës: Raca e bardhë është krijuar në laborator, Hënën e kanë ndërtuar alienët

Këshilltarja e re e Ramës: Raca e…

Në një vend ku qytetarët presin që qeveria të merret me problemet që ndodhin në Tokë, Kryeministria duket se ka vendosur të zgjerojë horizontin e saj drejt galaktikave të tjera. Edi Rama ka emëruar Vlerë Gjakovën si këshilltare për çështjet e medias dhe komunikimit, një zgjedhje që po tërheq vëmendjen edhe për disa prej deklaratave të saj të mëparshme televizive.

Gjakova, e cila prezantohet si stratege e komunikimit me 18 vite përvojë, duket se ka një interes të veçantë edhe për komunikimin ndërplanetar. Në një dalje në emisionin “E Diell” në Top Channel, rreth tre vite më parë, ajo shprehej se njerëzimi do të njihet me jashtëtokësorët dhe se këta të fundit kanë qenë pjesë e historisë sonë që prej fillesave të qytetërimit.

Por pjesa më interesante vjen kur kalon te origjina e njerëzimit. Sipas një prej teorive konspirative që ajo përmend, raca e bardhë nuk është autoktone e Tokës, por është krijuar në laborator nga jashtëtokësorët.

“Edhe raca jonë e bardhë nuk është racë e Tokës, pra jemi të bërë në laborator”, shprehej Gjakova.

Me pak fjalë, ndërsa shkencëtarët përpiqen të zbulojnë origjinën e jetës përmes kërkimeve dhe provave, ne mund të paskemi ardhur nga një laborator që ende nuk është identifikuar. Mbetet vetëm të zbulohet se kush e ka porositur projektin, kush e ka financuar dhe nëse ekziston ndonjë faturë për prodhimin e njerëzimit.

Por repertori nuk mbaron këtu. Në një tjetër dalje televizive, këtë herë në “Rrethi Katror”, Gjakova hodhi në diskutim edhe mundësinë që Hëna të jetë ndërtuar nga alienët. Sipas saj, sateliti natyror i Tokës mund të jetë një strukturë artificiale e krijuar për të ndikuar te emocionet e njerëzve dhe për t’i kontrolluar ata.

Ndërkohë, Marsi parashikohet të popullohet nga njerëzimi deri në vitin 2030, me Elon Musk që shfaqet në këtë skenar si një prej protagonistëve të projektit ndërplanetar.

Tani, me emërimin e saj pranë Kryeministrisë, lind edhe një perspektivë e re për strategjinë e komunikimit qeveritar. Ndoshta në mbledhjet e ardhshme nuk do të diskutohen vetëm konferencat për shtyp, reagimet ndaj mediave dhe marrëdhëniet me gazetarët, por edhe mënyra se si do t’u përcillet mesazhi qytetarëve që jetojnë në Mars.

Në fund të fundit, me çmimet që rriten, problemet që shtohen dhe qytetarët që presin përgjigje, ndoshta zgjidhja nuk qenka më në Tokë. Ndoshta duhet të presim një ndërhyrje nga galaktika tjetër.

Për momentin, shqiptarët mund të qetësohen: komunikimi i Kryeministrisë është në duar të sigurta. Nëse nuk kuptojnë mesazhin, të paktën mund të jetë problem i frekuencës!

<iframe width=”337″ height=”599″ src=”https://www.youtube.com/embed/WfAhZVQkbtk” title=”Këshilltarja e re e Ramës: Raca e bardhë është krijuar në laborator, Hënën e kanë ndërtuar alienët” frameborder=”0″ allow=”accelerometer; autoplay; clipboard-write; encrypted-media; gyroscope; picture-in-picture; web-share” referrerpolicy=”strict-origin-when-cross-origin” allowfullscreen></iframe>

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit