Si çdo personazh interesant në botë që ka dalë nga Shqipëria, me sa duket edhe princi i kaltër i paska rrënjët e rrënjosura thellë në lekët e popullit shqiptar. Princi i kaltër, ëndrra e çdo vajze me kështjellën e tij përrallore, paska qenë Ermal Beqiri.
Në fillim dolën vilat, pishinat, apartamentet luksoze, jahti “Skyfall” dhe llogaritë bankare, ndërsa më pas u zbulua edhe avioni privat me të cilin Ermal Beqiri u arrestua në Francë. Tani, kësaj panorame pasurish i shtohet një tjetër pronë që tërheq vëmendjen: një kështjellë historike në departamentin Oise, e vendosur rreth një orë larg Parisit.
Sipas njoftimit të autoriteteve franceze, të përcjellë përmes SPAK-ut, gjatë hetimeve u identifikua blerja e kësaj kështjelle me vlerë rreth 2.6 milionë euro, e shoqëruar me pasuri të tjera si llogari bankare me mbi 2 milionë euro, apartamente dhe mjete motorike.
Verifikimet në dokumentet publike franceze çojnë drejt Château d’Auteuil, një rezidencë historike në komunën Berneuil-en-Bray. Përputhja nuk mbështetet vetëm te vendndodhja dhe vlera e transaksionit, por edhe te një detaj që të bën të ngresh vetullën: në rubrikën “Mentions légales” të faqes zyrtare të pronës figuron emri “ermal beqiri” si botues i faqes, i shoqëruar me adresën e vetë kështjellës.
Kur emri del i stampuar kaq hapur në faqen zyrtare të rezidencës, nuk bëhet fjalë më për një detaj teknik që humbet mes rreshtave të dosjes. Është një gjurmë dixhitale e lënë pa u menduar mirë, që i jep një kthesë tjetër historisë së një pasurie tashmë në qendër të vëmendjes zyrtare.
Kështjella nuk është thjesht një rezidencë luksoze në periferi të Parisit, pasi dokumentet e transaksioneve të pasurive të paluajtshme në Francë tregojnë se Château d’Auteuil u shit më 30 dhjetor 2024 për 2.612.200 euro, një shifër që përputhet pothuajse plotësisht me vlerën prej rreth 2.6 milionë euro të përmendur nga SPAK për blerjen e kësaj prone në departamentin Oise.
Para këtij transaksioni, prona kishte kaluar në duart e disa emrave të njohur, ku në vitin 2003 u ble nga Pol Thomas de La Pintière dhe Sabine Darondeau, të cilët investuan rreth 1 milion euro për restaurimin e saj, duke e kthyer në një rezidencë për pritje, evente dhe akomodim, ndërsa më herët kështjella kishte qenë edhe pronë e biznesmenes franko-libaneze Mouna Ayoub.
E vendosur në Berneuil-en-Bray, pranë aeroportit Beauvais dhe rreth një orë larg Parisit, Château d’Auteuil përbën një monument historik francez me një histori që shtrihet për më shumë se katër shekuj, ku pjesët më të vjetra datojnë nga fundi i shekullit XVI, ndërsa pamjen e sotme e mori gjatë shekullit XIX.
Rezidenca është ndërtuar në stilin Louis XIII, e pajisur me një fasadë karakteristike prej tullash të kuqe dhe çati prej guri natyror, e rrethuar nga hendekë dhe një park që gëzon statusin e monumentit historik të mbrojtur nga shteti francez. Vetë faqja zyrtare e pronës dëshmon se restaurimi ka vazhduar për më shumë se dy dekada me synimin për të ruajtur trashëgiminë historike dhe për ta përshtatur njëkohësisht me standardet moderne të mikpritjes.
Nga një rezidencë historike në Francë te dosja e një prej hetimeve më të bujshme për fondet publike në Shqipëri, emri i Ermal Beqirit mbetet në qendër të vëmendjes së SPAK-ut për skemën e dyshuar të abuzimit me tenderat e AKSHI-t, ku akuzohet se ka vepruar në bashkëpunim me Ergys Agasin. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndaj tij rëndojnë akuza të rënda që përfshijnë grupin e strukturuar kriminal, pastrimin e parave, korrupsionin aktiv, shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencën e paligjshme dhe heqjen e paligjshme të lirisë.
Për këtë dosje u caktua fillimisht masa “arrest në burg”, ndërsa më pas ai u shpall në kërkim ndërkombëtar me Red Notice të Interpolit.
Arratisja e tij mori fund më 24 korrik 2026, kur autoritetet franceze e ndaluan pasi avioni i lehtë që pilotonte hyri pa leje në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly, në Normandi. Ulja e detyruar në aeroportin e Albertit i hapi rrugën arrestimit, ndërsa gjykata franceze vendosi ta lërë në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Paralelisht me prangosjen, autoritetet franceze identifikuan dhe sekuestruan një sërë asetesh dhe pasurish që, sipas SPAK-ut, lidhen drejtpërdrejt me hetimin. Ndërsa verifikimet vijojnë për të rindërtuar itinerarin e milionave që dyshohet se u larguan nga tenderat publikë për t’u shndërruar në luks jashtë vendit, në listën e gjatë të pasurive të sekuestruara tashmë bën pjesë zyrtarisht edhe Château d’Auteuil, kështjella franceze që i dha një kthesë më shumë dosjes së AKSHI-t.