KFC Albania, pronë e Alban Alikos. Shteti hesht për 6.5 milionë eurot e mashtrimit me “Gulf”

KFC Albania, pronë e Alban Alikos. Shteti…

Alban Aliko, ish tregtari i karburanteve që operonte në tregun shqiptar si administrator i kompanisë “Gulf” është kthyer në një “hije” për shtetin shqiptar. U shpall në kërkim, u ndalua dhe u lirua në mënyrë misterioze nga gjyqtari Arben Micko, megjithëse rrezikonte 20 vite burg. Ndërsa tani gjithçka për Alikon është zhytur në mister.

Ndonëse është personi që mashtroi qindra qytetarë duke iu shitur mijëra litra tollona karburanti të pavleshme nga kompania “Gulf”, me vlerën e mbi 6.5 milionë eurove, shteti shqiptar po hesht.

Ka vjedhur 1.5 milionë euro nga qytetarët shqiptarë përmes tollonave dhe 5 milionë euro nga tatimet.

Nëse pyet në tatime apo organet e tjera ligjzbatuese shqiptare do të marrësh përgjigjen se nuk kanë ku e gjejnë supermashtruesin. Për më tepër s’kanë ku ia marrin paratë apo nuk kanë se çfarë të konfiskojnë për të likujduar debitorët, mes të cilëve dhe vetë shteti shqiptar.

Ndoshta për zyrtarët e shtetit shqiptar, nga tatimet e deri tek kupola më e lartë e shtetit nuk janë asgjë 6.5 milionë euro. Por për qytetarët shqiptarë dhe për arkën e drobitur të shtetit, sidomos në këtë periudhë pandemie, janë shumë. Dhe mund të gjendet lehtë mënyra për t’i vjelur këto para nëse shteti dëshiron.

Alban Aliko nuk e ka ndalur aktivitetin e tij të biznesit asnjë ditë. Ndonëse nuk merret më me karburante, të paktën me aq sa dimë ne, ka një biznes shumë fitimprurës dhe me një shtrirje të jashtëzakonshme në Tiranë dhe rrethe të tjera.

Bëhet fjalë për “Global Fast Food Albania”- KFC Albania. Janë ambientet më të frekuentuara të të rinjve që nga “Blloku”, TEG, Liceu dhe gati në të gjithë Tiranën e Shqipërinë. Shërbejnë si brenda ambienteve të mbyllura, ashtu dhe jashtë e catering. Sidomos në këtë periudhë pandemie ka pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm përmes porosive, duke u shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Madje ka “pajtuar” shtesë dhe një kompani shpërndarje me motorë që kryen vetëm këtë shërbim.

E vlerësojmë, pasi me punë, përpjekje, cilësi dhe shpejtësi ka arritur që të krijojë këtë klientelë, ku kryesisht “krahët e pulës” fluturojnë drejt konsumatorit me shpejtësi. Duke mbushur dhe llogarinë e kësaj kompanie me paratë e fituara po me të njejtën “shpejtësi”.

Ama ajo që duam të themi është se organet ligjzbatuese nuk duhet të bëjnë të paditurin dhe të thonë se nuk kanë ku i “vjelin” paratë e grabitura nga Alban Aliko përmes mashtrimit. Ja një burim ku mund të merren këto para. Këtë për momentin dimë ne.

“Të hidhen” dhe nga kompanitë bashkëpunuese që ka me ortakët dhe përfundon stresi i qytetarëve që kanë humbur 1.5 milionë euro nga mashtrimi i Alikos me “Gulf”. Apo dhe 5 milionë eurot që i ka borxh shtetit rikthehen në arkë, në shërbim të qytetarëve.

Nëse kërkojmë që shteti shqiptar të vendosë drejtësi dhe për këta mashtrues, duhet të marrë fund modeli i vjedhjes dhe mungesës së zhdëmtimit nga ana e tyre. Drejtësia e re pikërisht për këtë arsye është ngritur dhe me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë: T’i japë fund pandëshkueshmërisë ndaj maskarenjve në këtë vend. Ta provojnë me Alban Alikon e “Gulf”. /Pamfleti

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit