KFOR-i ekzaminon raketahedhësit e gjetur në Banjskë

KFOR-i ekzaminon raketahedhësit e gjetur në Banjskë

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi këtë të enjte se një ekip i tij ka ekzaminuar raketahedhësit e gjetur një ditë më parë nga Policia e Kosovës në afërsi të Manastirit të Banjskës në qytetin verior të Kosovës, Zveçan.

KFOR-i tha në një komunikatë për media se pesë raketahedhësit e gjetur në Banjskë, për të cilët policia e Kosovës dyshon se lidhen me sulmin e 24 shtatorit, do të dërgohen në laboratorë për ekzaminime shtesë.

Kujtojmë se më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin e këtij fshati, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues.

Pas sulmit, në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, përfshirë 29 raketahedhës të mbushur dhe 7 të përdorur, automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë për terrene malore. Që prej asaj kohe, NATO-ja e ka përforcuar misionin e vet KFOR-in në Kosovë, ku tani ka 4.500 pjesëtarë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit