Kim: Reforma në Drejtësi dhe Zgjedhjet e lira janë sfida ime në Shqipëri

Kim: Reforma në Drejtësi dhe Zgjedhjet e…

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, në një intervistë për “A2 CNN” theksoi se qëllimet e saj janë vijimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi dhe i asaj zgjedhore, për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Përqendrimi në krijimin e institucioneve të drejtësisë së re dhe paralajmërimi se ajo nuk dorëzohet kollaj.

“Reforma në drejtësi ka bërë përparim që mjafton për t’i trembur ata që nuk e duan, por ende jo aq të madh sa ta kënaqë popullin shqiptar. Mendoj se është vërtet e rëndësishme që ne që e mbështesim reformën në drejtësi, populli shqiptar, Shtetet e Bashkuara, të mos dorëzohemi, të mos çorientohemi, dhe të mos shpërqendrohemi në këtë pikë kritike. Duhet ta shtyjmë përpara”, u shpreh Yuri Kim.

Reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira e të ndershme janë sfida dhe qëllimi që në fund të mandatit të saj të ketë lënë diçka. Sa do ta arrijë?

Ajo thotë se nuk tërhiqet, madje është e vendosur, por, sikurse pranon edhe vetë, nuk do të jetë aq e lehtë të vihet në zbatim një sistem i ri i drejtësisë, i cili pikësëpari tremb (dhe ka të drejtë të trembet) të gjithë elitën dhe ish-elitën politike.

Ambasadorja Kim shfaqi shpesh gjatë intervistës dy “dëshira”, të cilat janë: “bashkëpunimi i politikës dhe reforma në drejtësi”.

Reforma Zgjedhore dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Kim janë një tjetër sfidë.

“Synimi për ne, për Shtetet e Bashkuara, në mbështetjen e reformës zgjedhore ishte shumë i qartë. Ka një synim imediat, i cili është të mbështesim Shqipërinë të përmbushë kërkesat për anëtarësim në BE. Pra, një synim shumë specifik…”, thotë ajo.

Por duket se ajo është e bindur që nuk mund të pritet më gjatë, vetëm në dëshira që për 30 vjet nuk po bëhen realitet. Prandaj, me të drejtë, ka ditur të lexojë një fakt të thjeshtë: qytetarët shqiptarë i kanë kthyer sytë nga SHBA-ja.

Zhgënjimin edhe prej SHBA-së Kim nuk do të donte kurrë ta mbante si barrë pas përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

“Jam e nderuar të jem në Shqipëri, ku njerëzit vërtet besojnë te marrëdhënia dhe vërtet besojnë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndaj nuk mund të kërkoja më shumë. Por, siç thoni ju, do të thotë edhe që pritshmëritë janë të larta, kështu që kostoja do të ishte e madhe, nëse nuk i përmbushim ato pritshmëri”.

Dhe përveç tërheqjes me imponim të politikës sonë në një dakordësi paraprake për Kodin Zgjedhor, qëllimi më i madh mbetet pikërisht reforma në drejtësi, ndaj ajo në intervistë i është kthyer edhe një herë shprehjes së pazakontë se: “ka thashetheme se po punohet prapa krahëve për ta vrarë reformën në drejtësi”.

Ambasadorja thekson se në një farë mënyre kërkonte një përgjigje. “Mendoj se mund të ketë pasur një farë të vërtete tek ato thashetheme dhe, siç thashë në cicërimë, në fakt, jam mjaft e drejtpërdrejtë, nuk jam diplomate shumë e mirë, them atë që synoj të them. Shpresoj vërtet që nuk ka pasur të asgjë të vërtetë në ato thashetheme dhe, pasi unë shpreha këtë pikëpamje, shumë aktorë të rëndësishëm dolën publikisht dhe afirmuan se nuk kishte të vërteta në ato thashetheme. Ndaj jam shumë e lumtur të dëgjoj që është ashtu”, – tha ambasadorja Kim.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit