'Kina ka nisur luftën ekonomike kundër SHBA-ve', trondit me deklaratën e tij Prokurori i Përgjithshëm amerikan

‘Kina ka nisur luftën ekonomike kundër SHBA-ve’,…

Jo vetëm Presidenti Trump dhe sekretari i Jashtëm Pompeo, por tashmë “luftën tregtare” me Kinën, e ka pranuar dhe Prokurori i Përgjithshëm Amerikan.

Sipas Prokurorit William Barr, SHBA-të kanë prova të pakundërshtueshme se,  Kina është e angazhuar në një “luftë ekonomike” për të dëmtuar interesat e Shtetet e Bashkuara.

Kjo është deklarata më e fundit në një seri komentesh të ashpra ndaj Pekinit nga zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Duke folur në muzeun presidencial të “Gerald R. Ford”, në “Grand Rapids” të Miçiganit, Kryeprokurori Barr, tha se, përgjigjja amerikane ndaj ambicieve globale të Kinës, “do të tregojë se kjo është çështja më e rëndësishme për kombin tonë dhe botën në shekullin njëzet e një”.

Sipas Barr, Kina përdor një shumëllojshmëri “taktikash grabitqare, shpesh të paligjshme” për të siguruar avantazhin ndaj SHBA-ve.

Ndër praktikat grabitqare që dyshohet se përdoren nga Kina, Kryeprokurori Barr, renditi manipulimin e monedhës, çështjen e tarifave, kuotave, investimet dhe blerjet strategjike të drejtuara nga shteti.

Po ashtu, vjedhja dhe transferimi i detyruar i pronësisë intelektuale, subvencionet shtetërore, sulmet në internet dhe spiunazhin, janë të tjera metoda të përdorura nga Kina.

Pekini i ka kundërshtuar prej kohësh shumë nga pohimet e bëra në fjalimin e zotit Barr.

Ministri i Jashtëm kinez paralajmëroi të mërkurën se, Pekini do të hakmerret me sanksione ndaj individëve dhe subjekteve amerikane.

Sipas njoftimeve në media, zyrtarë të kësaj ministrie thanë se, “punët e Hong Kongut janë thjesht punët e brendshme të Kinës dhe se, asnjë vend i huaj nuk ka të drejtë të ndërhyjë”.

Operacionet kineze që synojnë ndikimin tek të huajt janë përqendruar tek udhëheqësit e bizneseve amerikane, tha Prokurori i Përgjithshëm Barr.

Ai paralajmëroi ata drejtues biznesesh që dështojnë, të bëjnë të ditura të dhënat mbi marrëdhëniet e tyre me Kinën, pasi mund të jenë në shkelje të aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj.

FARA kërkon që agjentët e qeverive të huaja të bëjnë të ditur aktivitetet dhe marrëdhëniet e tyre me subjektet e huaja.

Fjalimi i Prokurorit të Përgjithshëm vjen ndërsa tensionet mes SHBA dhe Kinës janë rritur mjaft.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, tha javën e kaluar se, Kina paraqet “kërcënimin më të madh afatgjatë”, për sigurinë ekonomike dhe kombëtare të SHBA-ve.

Pothuajse gjysma e 5 mijë çështjeve të zbulimit që ka në dorë FBI-ja, përfshijnë Kinën. Çdo dhjetë orë zyra hap një çështje të re që lidhet me Kinën tha zoti Wray.

Legjislacioni vendos sanksione ndaj zyrtarëve kinezë që minojnë autonominë e Hong Kongut, ndërsa urdhri ekzekutiv i jep fund trajtimit preferencial të Hong Kongut.

/Burimi: VOA/Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit