Kina po mban kontakte me talebanët, çfarë pritet të ndodhë?

Kina po mban kontakte me talebanët, çfarë…

Ndërsa Perëndimi e ka pezulluar përkohësisht bashkëpunimin për zhvillimin, Japonia e Koreja e Jugut druhen se Kina do të zgjerojë sferën e ndikimit në Afganistan. Çfarë roli do të luajë Pekini në vend në të ardhmen?

Pasi talebanët erdhën në pushtet në Afganistan, Japonia dhe Koreja e Jugut gjithashtu mbyllën ambasadat e tyre në Kabul dhe diplomatët dhe punonjësit e zhvillimit u larguan nga kryeqyteti afgan.

Dy vendet aziatike kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme në zhvillimin e infrastrukturës gjatë dy dekadave të fundit.

Që nga viti 2001, Japonia ka vënë në dispozicion rreth 6.8 miliardë dollarë për rindërtimin e infrastrukturës së Afganistanit.

Ndihma e mëtejshme prej 720 milionë dollarë duhet të paguhet midis viteve 2021 dhe 2024, por tani ka të ngjarë që kjo ndihmë të pezullohet.

Vetëm në vitin 2018, Koreja e Jugut vuri në dispozicion 2.2 milionë dollarë për të mbështetur fëmijët dhe gratë në situata të rrezikuara në Afganistan. Një pjesë e madhe e ndihmës jepet përmes kishave të krishtera dhe organizatave përkatëse.

Japonia dhe Koreja e Jugut po monitorojnë nga afër se si po sillet qeveria kineze me pushtetarët e rinj në Kabul. Sepse ndërsa Tokio dhe Seuli duan të pezullojnë bashkëpunimin e zhvillimit për momentin, sipas raporteve të mediave, Pekini e ka njohur që të hënën përmbysjen nga talebanët.

Pekini tregon praninë e tij

Një zyrtar i qeverisë kineze shprehu shpresën se talebanët do të ndërtonin një strukturë politike që do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme në Afganistan.

Pekini “mban kontakte dhe komunikim me talibanët” dhe synon të “luajë një rol konstruktiv në paqen dhe rindërtimin e Afganistanit”.

Një pyetje e madhe është nëse Pekini do të vazhdojë të zgjerojë sferën e tij gjeopolitike të ndikimit duke ofruar ndihmë financiare.

Kina tashmë ka krijuar lidhje të ngushta me Pakistanin, ndërsa kërkon qasje në Oqeanin Indian.

Afganistani mund të jetë një aleat tjetër strategjik i rëndësishëm në Azinë Qendrore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit