Detaje të reja kanë dalë nga dy atentatet e përgjakshme në Dukagjin, ku gjatë verës u vranë Aleksandër Koçeku dhe, më pak se dy muaj më vonë, babë e bir, Lekë Gjoni, 57 vjeç, dhe Prelë Gjoni. Sipas burimeve të hetimit të raportuara nga BW, policia dyshon se dy ngjarjet mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe se ekzekutimet mund të jenë kryer kundrejt pagesës. Koçeku u vra më 11 korrik, kur u qëllua me armë zjarri brenda automjetit të tij fuoristradë, ndërsa atentati i dytë ndodhi pak më shumë se një muaj më vonë, rreth 10 kilometra larg vendit të ngjarjes së parë, ku Lekë dhe Prelë Gjoni u ekzekutuan me breshëri plumbash. Një person tjetër mbeti i plagosur.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Lekë Gjoni mund të ketë pasur dijeni për rrethanat e vrasjes së Aleksandër Koçekut dhe për personat që mund të qëndronin pas saj, çka mund të jetë bërë shkak për eliminimin e tij dhe të babait. Ngjashmëritë në mënyrën e kryerjes së dy atentateve kanë forcuar dyshimet se ato mund të jenë pjesë e së njëjtës histori kriminale. Një tjetër pistë që po shqyrtohet është ajo e vrasjeve me pagesë, ndërsa porositësit e mundshëm dyshohet se mund të ndodhen jashtë Shqipërisë.
Grupi hetimor ka siguruar disa prova që, sipas burimeve, mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve të dyshuar. Një rëndësi të veçantë pritet të ketë ekspertimi i telefonit celular të Lekë Gjonit, ku hetuesit shpresojnë të zbulojnë komunikime dhe kontakte që mund të hedhin dritë mbi atentatet. Deri tani nuk ka persona të shpallur zyrtarisht në kërkim, ndërsa policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të dy vrasjeve, identifikimin e ekzekutorëve dhe zbulimin e porositësve të mundshëm.