Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Serbinë, pasi trupi i pajetë i një modeleje ruse, e cila ishte raportuar e zhdukur prej disa ditësh, u gjet i futur në një valixhe të hedhur në një kanal në periferi të Beogradit.
Viktima është identifikuar si Lyudmila Turkova, 28 vjeçe, nga Shën Petersburgu. Ajo ndodhej në Serbi për pushime dyjavore, por kontaktet me familjen u ndërprenë papritur pasi kishte dalë për të takuar disa persona në një klub nate. Sipas të afërmve, mesazhi i fundit prej saj ishte dërguar rreth orës 23:00 të datës 25 korrik, ndërsa më pas nuk pati më asnjë komunikim.
Zbulimi makabër u bë në kanalin Vizelj, ku banorët vunë re një valixhe të dyshimtë që lundronte në ujë dhe njoftuan menjëherë policinë. Gjatë operacionit të kërkimit, autoritetet përdorën edhe një qen të specializuar, i cili ndihmoi në lokalizimin e trupit.
Hetimet janë ende në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë bërë të ditur mënyrën se si është kryer vrasja. Trupi i 28-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku autopsia pritet të zbardhë shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, policia serbe ka arrestuar një shtetas turk me inicialet K.E., i lindur në vitin 2001. Ai u ndalua në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, teksa, sipas dyshimeve të hetuesve, po përpiqej të largohej nga vendi.
Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të 26 korrikut, brenda një apartamenti me qira në zonën Borça të Beogradit. I arrestuari po hetohet si personi kryesor i dyshuar për vrasjen e modeles ruse, ndërsa autoritetet vijojnë të mbledhin prova për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.