Kjo është familja shqiptare që humbi 3 fëmijë në zjarrin tragjik në SHBA

Kjo është familja shqiptare që humbi 3…

Kjo është familja Manati, me origjinë nga Lushnja, e cila u përball me një tragjedi të rëndë në Jacksonville të SHBA-së, ku humbën jetën tre prej fëmijëve të saj.

Në foton e publikuar shihet çifti i prindërve së bashku me tre fëmijët e tyre, ndërsa tashmë familja po përballet me dhimbjen e humbjes së tre fëmijëve pas zjarrit shkatërrues që përfshiu banesën e tyre të mërkurën në mëngjes.

Sipas familjarëve, viktimat janë binjakët 11-vjeçarë dhe një fëmijë 2-vjeçar. Ndërkohë, dy prindërit dhe dy fëmijët e tjerë, një 9-vjeçar dhe një foshnjë 2-muajshe, ndodhen në spital në gjendje kritike.

Zjarri ra rreth orës 05:13 në një banesë në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, në zonën e Mandarin. Ekipet zjarrfikëse mbërritën brenda katër minutash, por flakët dhe tymi kishin përfshirë banesën.

Një fqinj ka treguar se një foshnjë dhe një i rritur, të cilët ishin mes të mbijetuarve, u nxorën nga dritarja e katit të dytë dhe u kapën nga personat që ndodheshin jashtë.

Tre fëmijët u gjetën pa shenja jete brenda banesës, ndërsa zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:38.

Ngjarja ka tronditur familjarët dhe komunitetin shqiptar, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarrit vijojnë nga autoritetet amerikane.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit