KLSH gjen shkelje të shumta në buxhetin e shtetit, dëm arrin në135 mln €

KLSH gjen shkelje të shumta në buxhetin…

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar shkelje dhe mangësi të shumta në zbatimin e buxhetit të shtetit për vitin 2025, duke dhënë një konkluzion të kualifikuar për administrimin e financave publike. Sipas raportit, auditimet kanë zbuluar 171.9 milionë lekë dëm ekonomik dhe 12.3 miliardë lekë efekte financiare negative. Ndër problematikat kryesore janë 44 procedura prokurimi me vlerë 16.8 miliardë lekë, të nisura pa fonde të mjaftueshme, si dhe angazhime financiare në 39 projekte që tejkalonin fondet e miratuara me 4.28 miliardë lekë. Gjithashtu, 5.26 miliardë lekë fonde investimi janë çelur pa u detajuar në projekte konkrete.

Probleme të konsiderueshme janë konstatuar edhe në administrimin e të ardhurave dhe ekzekutimin e shpenzimeve. Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor dhe doganor arriti në 256.27 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 44.61 miliardë lekësh. Ndërkohë, sistemet informatike financiare kanë vijuar të funksionojnë pa mbështetjen e nevojshme teknike, duke detyruar institucionet të dorëzojnë fizikisht dokumentacionin në degët e Thesarit. KLSH ka evidentuar gjithashtu mijëra fatura dhe kontrata të regjistruara me vonesë, si dhe rishikime të planit buxhetor të vitit 2025 edhe në shkurt 2026, pas përfundimit të vitit financiar.

Një tjetër shqetësim lidhet me përqendrimin e shpenzimeve në fund të vitit, ku vetëm në dhjetor u kryen 162.54 miliardë lekë pagesa, ose 20.3% e totalit vjetor. Nga ana tjetër, investimet kapitale rezultuan 25.45 miliardë lekë nën planin përfundimtar, ndërsa 188 projekte me fonde të planifikuara prej 3.59 miliardë lekësh nuk patën asnjë realizim. Sipas KLSH-së, këto problematika dëshmojnë mangësi serioze në planifikimin, menaxhimin dhe kontrollin e financave publike, duke rritur rrezikun e krijimit të detyrimeve të prapambetura dhe të përdorimit joefektiv të fondeve buxhetore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit