Drafti i ri i Kodit Penal ka hyrë fuqishëm në qendër të debatit publik dhe me të drejtë. Jo sepse sjell ndonjë frymë moderne të drejtësisë penale, por sepse më shumë se një ligj, ngjan me një doracak politik të kohës së censurës. Në një kohë kur pritej një reformë që të forconte shtetin e së drejtës, propozimet e reja lënë më shumë shije dyshimi sesa sigurie.
Nga njëra anë, kemi lajme “të mira”: përdoruesit e drogës nuk do të shqetësohen më jo vetëm që nuk ndalohen, por do të mund ta konsumojnë qetësisht “ushqimin” e tyre kudo. Edhe prostitutat, nëse janë me fat që s’janë klientë, do ta kalojnë me një gjobë. Dhe më e rëndësishmja: kriminelët me rrezikshmëri të lartë do të kenë një shans për “rehabilitim”. Të gjitha këto duken si hapa drejt një shoqërie më përfshirëse për aq kohë sa nuk përmendni asgjë për qeverinë.
Sepse aty fillojnë telashet e vërteta. Pikërisht në pikën 2 të nenit 235, thuhet qartë se kushdo që “përdhos” figurën e kryeministrit, ministrave, presidentit, gjyqësorit apo forcave të armatosura përballen me deri në tre vite burg. Fjalë të tilla si “përdhos” mbeten në mjegull çfarë do të thotë saktësisht? Të kritikosh një vendim? Të bësh një karikaturë? Apo mjafton një meme në Facebook?
Ironikisht, në një vend ku krimi i organizuar është ende sfidë reale, rreziku më i madh, sipas këtij drafti, duket se është… fjala e lirë. Një përdorues droge që rri në cep të rrugës nuk përbën kërcënim, por një qytetar që denoncon paaftësinë ose korrupsionin e një ministri, po.
Në vend që të afrojë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian, ky draft duket sikur frymëzohet nga modele më të njohura në Lindjen e Largët jo ajo e BE-së, por më shumë ajo e Kinës apo Koresë së Veriut. Ndërsa në Francë, Gjermani apo Britani, revistat satirike e kanë zakon të “shpërfytyrojnë” liderët, në Shqipëri po mendohet të futet në burg kush e bën këtë me fjalë jo më me vepra.