Kodi i ri penal: Prost*tuat gjobiten, klienti shkon në burg

Kodi i ri penal: Prost*tuat gjobiten, klienti…

Në Shqipërinë e paradokseve të përditshme, ku lajmet shpesh duken si fragmente nga një roman absurd, së fundmi ka dalë në dritë një draft i ri për Kodin Penal, hartuar nga Ministria e Drejtësisë, me firmën e ministrit Ulsi Manja. Në vend që të forcojë shtyllat e drejtësisë penale, ky draft ngjan më shumë me një përpjekje për ta zbutur ndjeshëm ndëshkimin për disa nga shkelësit më seriozë të ligjit.

Sipas propozimeve të reja, vrasësit e dënuar me burgim të përjetshëm do të mund të përfitojnë nga lehtësira që në të ardhmen të riintegrohen në shoqëri. Natyrisht, kjo mund të tingëllojë humane – kushdo meriton një shans të dytë, apo jo?

Një tjetër ndryshim prek përdoruesit e drogës. Kushdo që kapet me sasi hashashi, kokaine apo heroine për përdorim personal, nuk do të arrestohet. Në një vend ku shpesh “përdorimi personal” ka shërbyer si mbulesë për shpërndarjen e drogës, kjo lëvizje ngre më shumë pikëpyetje sesa ofron zgjidhje.

Dhe më në fund, një nga pikat më të diskutueshme: në rastin e prostitucionit, drafti parashikon që gratë që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm do të ndëshkohen me gjobë, ndërsa klientët, ata që paguajnë – do të përballen me burgim deri në tre vjet. Ironikisht, në një marrëdhënie që është konsensuale, shteti ka zgjedhur të shfaqë më shumë zemër për palën që përfiton financiarisht, dhe më shumë ashpërsi për palën që paguan.

Kështu pra, në Republikën e Drejtësisë së Re, Ulsi Manja po rishkruan rregullat. Me sa duket, po përpiqet të shpëtojë mëkatarët nga ferri i ligjit, duke qenë më i butë me të fortët dhe më konfuz për të drejtët.

Dhe ky është një rrezik që nuk mund të anashkalohet me justifikimin se “po ndjekim modelet europiane”. Sepse Shqipëria, përpara se të bëjë reformë, ka ende nevojë për rend, gjë e cila ka vite që i mungon.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit