Në draftin e Kodit të ri Zgjedhor është qartësuar se nuk do merren vendime 4 muaj para zgjedhjeve.
Kjo është pranuar nga të gjitha palët politike.
Në draftin e siguruar thuhet se KQZ refuzon listat e partive, nëse nuk kanë në përbërje 30 përqind femra.
Gjithashtu, pjesë e ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor është edhe përcaktimi se “Nuk mund të ulen taksat 4 muaj para zgjedhjeve. Nuk mund të rriten pensionet 4 muaj para zgjedhjeve”.
KQZ aktuale do të shkrihet ditën që Kodi i ri Zgjedhor hyn në fuqi.
Ne pjesen e zgjedhjeve, percaktohet:
Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 5, 6, 7 dhe 8 të nenit 9 të këtij ligji.”
Data e zgjedhjeve për Kuvendin caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës, sipas rregullave të parashikuara në nenin 65 të Kushtetutës. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një ditë të diel brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij ligji.
Kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 prilli deri në 15 maj, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.
Kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri në 15 nëntor, qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 18:00.
Përbërja dhe funksionimi i KQZ-së
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni përgjegjës për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, i cili drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e adminstratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore, si dhe të medias në raport me zgjedhjet, si dhe zgjidh në rrugë administrative kërkesat apo ankesat që kanë lidhje me procesin zgjedhor.
- Organet drejtuese të KQZ-së janë: i. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve; ii. Komisioni Rregullator; dhe iii. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.
- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët.
- Komisioni Rregullator (Rregullatori) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në mbledhje publike, të cilat thirren nga Komisioneri.
Në rast se Komisioneri nuk vë në lëvizje Rregullatorin ose KAS-in kur ka çështje të kompetencës së tyre, atëhere organet vetëmblidhen me kërkesë të çdo anëtari. Për pjesëmarrjen në mbledhje, anëtarët e Rregullatorit përfitojnë shpërblim në masën 50 për qind të pagës mujore të Komisionerit, por jo më shumë se 80 për qind të pagës vjetore të këtij të fundit.
- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i funksionon me kohë të pjesshme dhe e ushtron veprimtarinë në seanca publike të shqyrtimit administrativ, të cilat thirren nga Komisioneri, me pjesëmarrjen e palëve të interesuara. Në rast se Komisioneri nuk vë në lëvizje Rregullatorin ose KAS-in kur ka çështje të kompetencës së tyre, atëhere organet vetëmblidhen me kërkesë të çdo anëtari.
Për veprimtarinë e tyre gjatë periudhës, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore ose zgjedhjeve të pjesshme, deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, anëtarët e KAS-it përfitojnë shpërblim të barabartë me shumën e pesë pagave mujore të Komisionerit.
Për veprimtarinë që zhvillojnë jashtë kësaj periudhe, anëtarët e KAS-it përfitojnë shpërblim në masën 50 për qind të pagës mujore të Komisionerit. 6. Anëtarët e Rregullatorit dhe të KAS-it nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht detyra të tjera brenda organeve, institucioneve apo enteve, pjesë e pushtetit ekzekutiv.
- Veprimtaria e KQZ-së, organeve drejtuese dhe e administratës, udhëhiqet, sipas rastit, nga ky ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, si dhe nga ligji Nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve
- Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.
- Kanë të drejtën të kandidojnë ose të propozohen për komisioner, shtetasit shqiptarë që vijnë nga radhët e ish funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.
- Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjëshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.
- Personi që kandidon ose që propozohet për komisioner nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen, nëse në momentin e kandidimit ka qenë në ushtrim të detyrës si funksionar, nëpunës i nivelit të lartë drejtues, apo drejtues i organizatës jofitimprurëse, ose kur komisioni kompetent i Kuvendit krijon bindjen se marrëdhënien e tij të punës e ka ndërprerë për shkak të kandidimit ose propozimit për komisioner.
- Personi që kandidon ose që propozohet për komisioner nuk përfshihet në listën e kandidatëve që votohen nga Kuvendi, nëse është anëtar aktiv i ndonjë partie politike, ose nëse ka interesa private, të dukshme ose të njohura, plotësimi i të cilave varet nga qeverisja në nivel qendror ose vendor.
- Paga dhe privilegjet e Komisionerit janë të njëjta me pagën dhe privilegjet e kryetarit të Gjykatës së Lartë.
Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve
- Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (nënkomisioneri) zgjidhet nga Kuvendi për një periudhë 4-vjeçare me detyrën për të monitoruar dhe mbikëqyrur implementimin e teknologjisë për identifikimin elektronik dhe rekrutimin dhe trainimin e zyrtarëve zgjedhorë.
- Nënkomisioneri është përgjegjës për përcaktimin e zbatueshmërisë dhe drejton punën për zbatimin e projektit të identifikimit elektronik të votuesve. Ai bashkushtron me të drejta të barabarta me komisionerin kompetencat për përzgjedhjen, monitorimin dhe zbatimin e teknologjisë për identifikimin elektronik të zgjedhësve.
Neni 15 Komisioni Rregullator (Rregullatori)
- Rregullatori përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët njeri ushtron detyrën e kryetarit. Kryetari dhe anëtarët e rregullatorit zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj për Komisionerin.
- Kandidati për kryetar ose anëtar i Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë Komisioner. Kriteri i eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës së mëparshme të suksesshme në hartimin, shqyrtimin ose oponencën e legjislacionit. Dokumentat apo referencat provuese të kandidatit lidhur me suksesin dhe ligjëshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3 vjeçare veprimtarie.
- Mënyra e funksionimit të Rregullatorit dhe procedurat e shqyrtimit dhe miratimit të akteve përcaktohet në rregulloren e mbledhjeve të Rregullatorit.
- Anëtarët e Rregullatorit i nënshtrohen dispozitave të legjislacionit në fuqi për konfliktin e interesave./gazetaatdheu.com/