Kokaina në kontejnerët e bananeve në Portin e Durrësit, Gjykata e Posaçme merr vendimin për administratorin e firmës

Kokaina në kontejnerët e bananeve në Portin…

Gjykata e Posaçme ka vlerësuar masën e sigurisë për Bajron Gumenin, administratorin e ‘Alba Ekzotic Fruit’, duke e lënë atë sërish në masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Gumeni u vu në pranga në 13 korrik, pas kapjes së mbi 11 kilogramë kokainë në kontejnerin ku kompania e Gumenit kishte porositur një ngarkesë me banane.

Përgjatë këtyre ditëve, janë sekuestruar edhe 2 sasi të tjera kokaine në kontejnerët e kësaj kompanie, ndërsa në kërkim për këtë dosje vazhdon administratori tjetër i ‘Alba Ekzotic Fruit’.

Trafikimi i kokainës nga Ekuadori drejt vendit tonë në sasi të vogla, duket se ka qenë një nga metodat për të bërë të mundur nxjerrjen e lëndës narkotike, nga Porti i Durrësit, pa u vënë re nga autoritetet.

Nga 13 korriku e deri me sot në kontejnerët e kompanisë “Alba exotic Fruits” kokaina është kapur në tre raste, ku në total janë  sekuestruar rreth 25 kg kokainë, një sasi e vogël krahasuar me dërgesat e tjera të kapura në port, por sipas hetuesve kjo është një metodë që autoritetet mos dyshonin për trafikun e paligjshëm.

Hetimet janë në vijim pasi dyshohet se pas këtij trafiku fshihet një grup i fuqishëm kriminal.

NDËRHYRJA E DEA-S AMERIKANE:

Prej ditësh, autoritetet shqiptare kanë vazhduar kontrollet në kontejnerët e  ngarkuar ma banane në Amerikën Latine. Ka qenë DEA amerikane që ka sinjalizuar autoritetet shqiptare për nisjen e sasisë së drogë, sasia e plotë e së cilës nuk dihet ende. Sipas burimeve të “Panorama”,  pavarësisht se më 11 korrik u kapën 11 kg kokainë, DEA amerikane kishte njoftuar autoritetet shqiptare se sasia është shumë më e madhe. Për këtë arsye, kontrollet dhe hetimet kanë vijuar prej rreth dy javësh. Pavarësisht se Policia ka prangosur administratorin e kompanisë, ky i fundit nuk ka dhënë asnjë informacion, duke  mos pranuar të bashkëpunojë me autoritetet. Për këtë arsye, kontrollet kanë vazhduar edhe në dhjetë kontejnerë të tjerë, duke mos arritur të zbulohej sasia e  lëndës narkotike e sinjalizuar nga Agjencia Amerikane kundër Drogës. Gjatë ditës së djeshme, sipas burimeve, janë zhvilluar kontrolle edhe në tre kontejnerë  të tjerë, duke gjetur edhe sasinë prej 7 kg kokainë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit