Kokaina në Portin e Durrësit, gjurmët të çojnë te “Gjenerali” në Belgjikë

Kokaina në Portin e Durrësit, gjurmët të…

41.35 kilogramë kokainë, 37 pako të fshehura në kapakët e jashtëm të një kontejneri frigoriferik me mish pule nga Brazili dhe një hetim ndërkombëtar që duket se nuk ndalet te brigjet e Durrësit. Pas sekuestrimit të rreth 2 milionë eurove drogë në port, gjurmët e hetuesve të çojnë drejt Belgjikës dhe një grupi shqiptar të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine.

Kontejneri që mbërriti në Durrës kishte nisur udhëtimin nga Brazili dhe kishte kaluar tranzit edhe përmes Greqisë. Por, përpara se mishi i pulës të përfundonte në Shqipëri, duket se kontejneri kishte edhe një “ngarkesë surprizë” që nuk figuroi në dokumente: 37 pako me kokainë, të vendosura në një mënyrë që kërkonte kontrolle të imta për t’u zbuluar.

Pikërisht në të njëjtën ditë kur në Durrës u sekuestrua droga, autoritetet belge goditën një grup shqiptar të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Hetimi, i zhvilluar prej rreth një viti në bashkëpunim me autoritete të disa shteteve dhe Europolin, çoi në arrestimin e tetë personave.

Mes tyre është një shqiptar 48-vjeçar, i cili dyshohet se shërbente si ndërmjetës mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe rrjeteve të kokainës në Amerikën Latine. Sipas hetuesve belgë, ai siguronte kontakte për importimin e sasive të mëdha të drogës përmes Portit të Antwerp-it, ndërsa lidhjet e tij dyshohet se shtriheshin edhe te grupe të tjera kriminale në Europë dhe deri në Australi.

Dhe këtu hyn në skenë një emër që për autoritetet shqiptare nuk është aspak i panjohur: Gerd Gjinarari, i njohur si “Gjenerali”.

48-vjeçari i arrestuar në Belgjikë dyshohet se kishte kontakte me Gjinararin, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për vrasje dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Në qershor të këtij viti, “Gjenerali” u arrestua në Belgjikë, ndërsa në kuadër të këtij hetimi ndaj tij dhe personave të tjerë janë vendosur masa.

Pra, kemi një grup shqiptar të goditur në Belgjikë, një ndërmjetës të dyshuar për lidhje me rrjetet e kokainës në Amerikën Latine, kontakte me “Gjeneralin” dhe, në të njëjtën kohë, një ngarkesë me 41.35 kilogramë kokainë që udhëton nga Brazili, kalon përmes porteve të tjera dhe përfundon në Durrës. Rastësi?

Autoritetet belge duket se nuk e kanë parë si një histori të shkëputur. Sipas Prokurorisë së Antwerp-it, një prej rezultateve të hetimit ndërkombëtar ishte pikërisht sekuestrimi i 37 paketimeve me kokainë në Shqipëri. Kjo e vendos ngarkesën e Durrësit në të njëjtën hartë hetimore me operacionin belg.

Por, si gjithmonë në këto raste, duhet bërë dallimi mes asaj që dihet dhe asaj që dyshohet. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet shqiptare se Gerd Gjinarari ka lidhje me kokainën e kapur në Durrës dhe as se kompania që kishte porositur mishin e pulës kishte dijeni për drogën e fshehur në kontejner.

Por pyetjet tashmë janë aty. Kush e futi kokainën në kontejner? Kush e dinte se ku ndodhej? Kush priste ta merrte në Shqipëri? Dhe mbi të gjitha, a është ngarkesa e Durrësit pjesë e të njëjtit rrjet që po hetohet nga autoritetet belge?

Nga Brazili në Greqi, nga Belgjika në Shqipëri dhe nga një kontejner me mish pule te 41.35 kilogramë kokainë, rruga e kësaj ngarkese duket se ka shumë më tepër kthesa nga sa do të kishte një transport normal ushqimor.

Tani mbetet të shihet nëse hetimi do të ndjekë edhe këto gjurmë apo në Durrës do të mbetet sërish vetëm kontejneri dhe “surpriza” që fshihej në kapakët e tij.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit