Kokainë rozë, armë dhe radio policie në makinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar në Girona

Kokainë rozë, armë dhe radio policie në…

Një 24-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia katalanase në Spanjë pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij iu gjetën armë zjarri, kokainë rozë dhe pajisje të falsifikuara të policisë speciale të Katalonjës, Mossos d’Esquadra. Ngjarja ndodhi më 2 korrik, rreth orës 15:30, në plazhin Cala Boadella, në provincën e Gironës, ku agjentët e policisë e ndaluan të riun për shkak të sjelljes së dyshimtë.

Gjatë kontrollit të makinës, efektivët gjetën një armë zjarri të gjatë, një pistoletë, si dhe pajisje që ngjanin me ato të përdorura nga policia, përfshirë jelekë me logon e Mossos d’Esquadra, lidhëse plastike dhe radio-komunikimi. Në automjet u sekuestruan gjithashtu tre pako me kokainë rozë, e njohur si “Tusi”, ndërsa pesha e saktë e lëndës narkotike nuk është bërë publike.

I riu, i cili sipas autoriteteve nuk kishte precedentë penalë në Spanjë, u arrestua nën akuzat për trafikim të lëndëve narkotike dhe mbajtje të paligjshme të armëve. Policia katalanase ka nisur hetimet për të zbuluar qëllimin e pajisjeve të falsifikuara dhe po heton nëse shqiptari mund të jetë përfshirë në grabitje duke u paraqitur si efektiv policie, si dhe nëse ka vepruar i vetëm apo në bashkëpunim me persona të tjerë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit