Kolumbi/ Kapet nëndetësja me tre tonë kokainë

Kolumbi/ Kapet nëndetësja me tre tonë kokainë

Marina Kolumbiane njoftoi dje të premten se kishte sekuestruar nëndetësen më të madhe të improvizuar të kontrabandës së drogës të zbuluar ndonjëherë në historinë e vendit, tridhjetë metra e gjatë dhe tre e gjerë, e cila ishte e ngarkuar me tre ton kokainë.

Nëndetësja u gjet të martën teksa lundronte drejt Amerikës Qendrore, duke ndjekur një nga rrugët më të përdorura të trafikut të drogës në tregun amerikan, konsumatori më i madh në botë i kokainës kolumbiane.

Imazhet e publikuara nga autoritetet kolumbiane tregojnë varkën në ujë, si dhe ngarkesën që ajo mbante në tokë: qindra pako droge, të etiketuara “Toyota” (trafikantëve u pëlqen të vendosin firma, shpesh duke përdorur marka të famshme botërore, në pajisjet e tyre).

Kjo është anija më e madhe e llojit të saj e kapur ndonjëherë që kur e para u pa në vitin 1993 në vendin më të madh të prodhimit të kokainës në botë.

Në tre dekada, Marina Kolumbiane ka sekuestruar 228 anije të tilla të improvizuara, të cilat nisen të ngarkuara me tonelata droge përmes Paqësorit në SHBA dhe ndonjëherë edhe përtej Atlantikut për në Evropë.

Policia bëri të mundur arrestimin e tre personave 63, 54 dhe 45 vjeç, të cilët u dërguan në Tumac për t’u nxjerrë para drejtësisë.

Ligji kolumbian ndalon përdorimin, ndërtimin, tregtimin, posedimin dhe transportin e anijeve të tilla, me një dënim me burg deri në 14 vjet.

Pavarësisht të ashtuquajturës luftë kundër drogës për gjysmë shekulli, e mbështetur dhe financuar nga SHBA, Kolumbia vazhdon të thyejë rekorde për sa i përket prodhimit të kokainës./Zougla

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit