Kompania e përfshirë në korrupsion me tenderat merr 260 milionë ‘me një dorë’ nga Lleshaj, për ... trahana e rigon!

Kompania e përfshirë në korrupsion me tenderat…

Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka lidhur një tjetër tender për furnizim me ushqime duke shpenzuara shifra të majme.

Referuar të dhënave zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, më herët gjatë muajit, agjencia nën varësi të Ministrisë së Brendshme – që drejtohet nga Sandër Lleshaj, ka shpallur fituesit e tenderit me objekt “blerje ushqime”, kompaninë “NELSA SH.P.K”.

Shuma që do të përfitojë kompania është mbi 260 milionë Lekë. Sipas të dhënave zyrtare, “NELSA SH.P.K”, do furnizojë Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara me ushqime si oriz, makarona, thjerrëza, kripë, trahana, rigon, etj.

Në garë për tenderin kanë marrë pjesë 6 kompani. Dy prej tyre janë skualifikuar pasi nuk kanë paraqitur ofertë. Sipas dokumenteve zyrtare, janë skualifikuar po ashtu dhe dy kompani të tjera, njëra prej të cilave kishte ofertë më të ulët se “NELSA SH.P.K”.

Në garë kanë mbetur dy firma dhe fituese është shpallur ajo me ofertën më të ulët – “NELSA SH.P.K”.

Agjencia e Prokurimeve Publike ka bërë me dije se se ka pasur ankesa nga operatorët e skualifikuar.  

Historia e korrupsionit

“NELSA SH.P.K” është një kompani me histori korrupsioni me tendera.

Ish-pronari Nexhmi Balla është dënuar në nëntor 2018 me nga 2 vjet e 6 muaj burg, në përfundim të procesit gjyqësor, për korrupsionin në tenderat e ushqimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Tanimë, kompania është nën pronësi të vajzës së Nexhmi Ballës, Elsa Kamberi (Balla) dhe referuar të dhënave zyrtare, ka fituar 6 procedura tenderuese të zhvilluar në muajt e fundit nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit