Kompania më e madhe ajrore në Europë kërcënon SHBA: Do blejmë avionë kinezë në vend të Boeing!

Kompania më e madhe ajrore në Europë…

Kompania më e madhe ajrore në Europë, Ryanair, ka paralajmëruar se do të ndalojë blerjen e avionëve nga prodhuesi amerikan Boeing nëse tarifat e reja të vendosura nga administrata Trump rrisin ndjeshëm çmimet.

Në një letër drejtuar një kongresmeni amerikan, drejtuesi i Ryanair, Michael O’Leary, ka kërcënuar se nëse çmimet e avionëve rriten për shkak të tarifave të reja mbi çelikun dhe aluminin nga BE, atëherë kompania do të shqyrtojë mundësinë për të blerë avionë nga prodhuesi kinez COMAC.

Ryanair është klient i rregullt i Boeing prej 27 vitesh dhe pritet të marrë 25 avionë të rinj në gusht, por O’Leary ka bërë të qartë se kompania nuk i ka të domosdoshëm këta avionë deri në mars ose prill të vitit 2026.

Tarifat e reja prej 25% për çelikun dhe aluminin nga BE në SHBA kanë shtuar kostot e prodhimit për Boeing, duke detyruar kompaninë të rrisë çmimet. Për më tepër, që nga viti 2021, çmimet për pajisje dhe materiale në industrinë amerikane të aviacionit janë rritur me rreth 40%.

Letra e O’Leary erdhi si përgjigje ndaj një paralajmërimi nga kongresmeni demokrat Raja Krishnamoorthi, i cili e këshilloi të mos blejë avionë nga Kina, duke pretenduar se COMAC ka përfituar nga vjedhja e pronësisë intelektuale, një akuzë që Kina e mohon.

Megjithëse Ryanair nuk ka zhvilluar bisedime me COMAC që prej vitit 2011, O’Leary nuk përjashtoi mundësinë që të negociojë me ta nëse çmimet rezultojnë 10-20% më të lira sesa ato të Airbus-it, rivalit të vetëm të Boeing në tregun perëndimor.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit