Pavarësisht se në qershor të vitit 2026 iu hoq licenca për shkelje të rënda të konstatuara gjatë përplasjes së dhunshme me protestuesit në Zvërnec, kompania private e sigurisë “Myrto Security” ka arritur të marrë një pjesë të majmë nga fondet publike. Institucioni i Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Elbasan njoftoi pak ditë më parë lidhjen e kontratës me bashkimin e operatorëve “Juer Security” dhe “Myrto Security”, për shërbimin e ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve, personelit dhe pronave të OSSH-së e Furnizuesit të Shërbimit Universal në këtë qytet.
Procedura e hapur në gusht 2026 kapte një fond limit prej 184.735.036 lekësh të reja (rreth 1.99 milionë euro), ku kushti kryesor i pjesëmarrjes ishte pajisja me licencën 1.3 A , dokumenti zyrtar që i lejon kompanitë private të ofrojnë ruajtje fizike të objekteve dhe individëve. Absurdi i këtij tenderi qëndron pikërisht te ky kriter, pasi vetëm dy muaj më parë Policia e Shtetit i kishte hequr licencën “Myrto Security” pas ngjarjeve të rënda të regjistruara gjatë protestave në bregdet.
Origjina e këtij penalizimi daton më 30 maj 2026, kur qytetarë të Vlorës protestuan kundër projektit turistik në Zvërnec, ku përfshihet edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner. Në zonën e rrethuar me tela, përballë qytetarëve që kundërshtonin bllokimin e aksesit në bregdet dhe pretendonin pronësinë e tokës, u vendosën punonjësit e kompanive “Major Security” dhe “Myrto Security”. Përplasja arriti kulmin kur qytetari Eduard Subashi u tërhoq me forcë dhe u zvarrit për më shumë se 100 metra, një episode ky që nxiti valën e protestave.
Megjithatë, përmes një manovre ligjore, “Myrto Security” e kundërshtoi vendimin e heqjes së licensës në rrugë gjyqësore dhe siguroi një masë sigurimi padie, duke pezulluar heqjen e lejes dhe duke garuar lirisht në gusht 2026. Sot, e njëjta kompani që dështoi të zbatonte rregullat elementare të sigurisë dhe që u bë protagoniste e një prej ngjarjeve më makabre të dhunës, merr përsipër ruajtjen e aseteve strategjike shtetërore në Elbasan, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi ligjshmërinë e procedurës dhe mënyrën se si plotësohen kriteret në tenderët publikë.