Kompanitë e Sigurimeve po fitojnë gjithmonë e më shumë nga shqiptarët, teksa shpenzimet e tyre janë në ulje të vazhdueshme.
Sipas asaj që raporton “Kapital.al”, të ardhurat e këtyre kompanive u rritën 9.5% në tetë muajt e parë të vitit 2025, duke i krahasuar ato me të ardhurat e të njëjtës periudhë të një viti më parë. Numri i kontratave të sigurimi ka arritur 1 milion e 116 mijë, një rritje 6.12% në krahasim me periudhën Janar-Gusht 2024.
Pjesën më të madhe të kontratave e zënë sigurimet e detyrueshme, 61.84% , ndërsa sigurimi vullnetar zë vetëm 38.16%.
Teksa të ardhurat e kompanive u rritën gati 10%, shpenzimet e tyre për të paguar dëme pësuan rënie. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbijkqyrjes Financiare, pagesat e dëmeve nga janari në gusht 2025 ishin rreth 55 milion euro, ose rreth 2.27% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kompanitë e sigurimeve kanë paguar më shumë për dëmet e sigurimeve motorike, rreth 42 milion euro, ose 76.7% e totalit të dëmeve të paguara bruto. Me këtë shumë, deri në muajin gusht janë paguar sigurimet e afro 42 mijë dëmeve, me një mesatare të përafërt prej 1 mijë eurosh për çdo rast.
Të gjithë treguesit flasin për një fakt të pamohueshëm, kompanitë e sigurimeve po fitojnë çdo ditë e më shumë, dhe po paguajnë çdo ditë e më pak.
Shkrimi i përket TVA News!