Koncesionet minerare kërcënojnë habitatin e fundit të tulipanit shqiptar

Koncesionet minerare kërcënojnë habitatin e fundit të…

Nga më shumë se 100 specie tulipanësh që njihen në të gjithë botën, vetëm 2 janë endemike të territorit shqiptar. Njëra prej tyre, ‘Tulipa Albanica’ rritet në një habitat të vogël prej gati 100 hektarësh në bashkinë e Kukësit.

“Është padyshim lulja më e bukur që rritet në trojet shqiptare,” thotë aktivisti mjedisor Abdullah Diku.

“Ka evoluar e tashmë ka gene krejt të veçanta, gene unike që e identifikojnë atë si specie shqiptare,” shtoi ai, duke nënvizuar se kjo lule që ka ngjyrën e flamurit, “është zhvilluar dhe ka mbijetuar për mijëra vite që ne ta shohim kështu si është sot.”

Më 22 maj, Këshilli Bashkiak i Kukësit u mblodh dhe votoi për të marrë në mbrojtje të përkohshme një sipërfaqe toke për 72.7 hektarësh në njësinë administrative Surroj, pjesë e habitatit të tulipanit shqiptar.

Por banorët e fshatit Mamëz në njësinë administrative fqinje të Kolshit e konsiderojnë këtë vendim të mangët, pasi nuk përfshin dhe territorin e fshatit të tyre si zonë e habitatit të mbrojtur. Banorët dyshojnë se përjashtimi nga sipërfaqja e mbrojtur e fshatit ka ardhur për shkak të interesave të disa anëtarëve të këshillit bashkiak, të cilët janë gjithashtu aksionerë në kompani minerare.

Banorët e drejtojnë gishtin kundër Astrit Dobrushit, administrator i kompanisë minerare ‘Afrimi K’ sh.p.k kundër së cilës protestojnë prej vitesh, pasi e akuzojnë se ndot mjedisin e zonës duke depozituar në fshat stokun e mineralit të hekur-nikelit.

‘Afrim K’ sh.p.k nuk është e vetmja kompani minerare që operon në këtë zonë dhe që rrethon habitatin e tulipanit shqiptar – i cili listohet si një specie në rrezik zhdukjeje. Banorët e zonës e shohin me pikëpyetje angazhimin e zyrtarëve lokalë në mbrojtje të tulipanit shqiptar, ndërsa denoncojnë se vetëm dy muaj më parë, Këshilli Bashkiak dha pëlqimin për heqjen e disa ngastrave nga fondi kullosor në favor të shfrytëzimit të tyre nga një tjetër kompani minerare.

I pyetur nga BIRN, Astrit Dobrushi – administratori i ‘Afrimi K’ Sh.p.k dhe njëherazi anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës mohoi akuza e banorëve për konflikt interesi dhe nënvizoi se kompania e tij “zbatonte të gjitha ligjet.”

‘Tulipa Albanica’ është një specie e zbuluar për herë të parë në vitin 2010 nga biologu Besnik Hallaçi, Prof.Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës dhe Prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit në Danimarkë.

Ky tulipan rritet në një oaz deri tani të pambrojtur në zonën e Mamëzit të Surrojit në Kukës.

“Lulja e basulegjit, apo tulipani që po i thoni ju, është në malin e Sukës prej qindra vjetësh,” thotë blegtori 82- vjeçar Hasan Demnushi, i cili që fëmijë ka kullotur dhitë dhe e njeh këtë mal në çdo pëllëmbë të tij.

“Ai rritet në vende si Rogat e Sanave, Rrethatorë, Hurdha e Sukes, Qafa e Kalit dhe në Qafë të Qarishtës,” shtoi Demnushi.

Për shkak se tulipani shqiptar rritet në një habitat të kufizuar, por edhe numri i vogël i individëve të gjetur, e bën atë të jetë e rrezikuar, duke u listuar sipas biologëve në llojet e mbrojtura nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës (IUCN).

“Pasi është zbuluar si specie, është bërë vlerësimi nga ana  ekspertëve për tulipanin,” shprehet biologu Besnik Hallaçi, njëherazi drejtor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në Kukës.

“Numri  është shumë i kufizuar, ndaj duhet të merret  urgjentisht në mbrojtje,” shtoi ai.

Profesor Lulzim Shuka, ekspert i Unionit  Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës (IUCN) e ka shpallur tulipanin shqiptar si specie ndërkombëtarisht të rrezikuar. Edhe ministria e Mjedisit e ka në listën e kuqe si të rrezikuar tulipanin, si në Mamëz ashtu edhe në zonën e Surroit.

“Një habitat kaq i ngushtë është i rrezikuar nga shumë faktorë, ku kryesorja është se kjo lule gjendet në një zonë me aktivitet minerar,” shpjegoi Hallaçi.

Biologu kuksian tha se nisur nga rreziku që i kanoset habitatit të tulipanit shqiptar, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në  Kukës dhe Instituti I Politikave Mjedisore në Tiranë,  bashkë me bashkinë e Kukësit  ranë në konsensus që të miratojë shpalljen në mbrojtje dhe administrim të përkohshëm të habitatit në një siperfaqe të përgjithshme 72.7 hektarë në Njësinë Administrative Surroj.

Por kryepleqësia e fshatit Mamëz hedh dyshime se ky vendim i Këshillit të Bashkisë së Kukësit, që  përjashton fshatin Mamëz nga mbrojtja e tulipanit, është bërë në mënyrë të qëllimshme dhe në konflikt interesi, për shkak të aktivitetit minerar të kompanisë ‘Afrimi K’ sh.p.k në këtë zonë.

“Kryepleqësia e fshatit Mamëz si dhe 82 kryefamiljarë të këtij fshati i janë drejtuar me [një] letër Ministrisë së Shëndetësisë për ndotjen e ujërave nëntokësore dhe mbitokësorë nga firmat minerare që kanë depozituar pa kriter stokun e mineralit,” tha Sali Leka, kryeplak i fshatit Mamëz.

Banorët e fshatit kanë protestuar disa herë kundër kompanisë ‘Afrimi K’ gjatë dekadës së fundit, duke e akuzuar atë se ndot ambientin, konflikt që ka evoluar edhe në përplasje fizike me policinë.  Megjithatë, administratori i kompanisë minerare, Astrit Dobrushi i mohon pretendimet e banorëve për konflikt interesi dhe i akuzon se ankohen për përftim personal.

“Nuk kam asnjë ndikim në vendimet e këshillit të Bashkisë, pasi këshilli përbëhet prej 31 vetash dhe unë jam njëri prej tyre,” tha Dobrushi.

Kryeplaku i fshtatit Mamëz i kundërshton gjithashtu pretendimet e Dobrushit që ankesat bëhen për përftim personal.

”Ankesat ndaj firmës nuk janë bërë nga ana ime,” tha Sali Leka. “Unë jam përfaqësues i fshatit dhe 84 kryefamiljarë kanë firmosur për ankesat që ata kanë, të cilat janë publike,” shtoi ai.

‘Afrim K’ nuk është kompania e vetme minerare që operon pranë habitat të tulipanit shqiptar. Me anë të një vendim me 25 shkurt, Këshilli Bashkiak i Kukësit ka dhënë pëlqimin për vazhdimin e procedurave të heqjes nga fondi pyjor e kullosor të 7 ngastrave në një sipërfaqe prej 35.6 hektarësh të ekonomisë pyjore “Mamëz-Kalimash”, që preken nga shfrytëzimi i hekur-nikelit në funksion të aktivitetit të subjektit “NIKA-BL” sh.p.k

“Aktualisht makineritë e rënda dhe fadromat nuk janë larg nga tulipani shqiptar,” ankohet Abdullah Diku.  “Nuk është çudi nëse vendosin ta shkatërrojnë, me apo pa dashje, siç është vepruar deri tani…me pasuri natyrore e kulturore,” shtoi ai.

Edhe prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana ka rezerva përsa i përket lejeve minerare të lëshuara nga Agjencia Kombëtare Burimeve Natyrore, AKBN, në këtë zonë.

“AKBN-ja ka bërë lëmsh me lejet e lëshuara si në Kukës, Has e Tropojë”, tha Kuçana për BIRN, ndërsa vlerësoi botanistin Besnik Hallaçi për punën e bërë në zbulimin dhe mbrojtjen e tulipanit.

Vetë Hallaçi mendon se vendimi i Këshillit Bashkiak Kukës i jep vetëm mbrojtje të përkohshme tulipanit shqiptar dhe për të siguruar një mbrojtje të përhershme kërkohet ndërhyrja e  Ministrisë së Mjedisit.

“Duam që kjo lule të mos preket,” tha ai.  “I takon Ministrisë së Mjedisit të marrë vendimin që të marrë në mbrojtje të përhershme zonën,” përfundoi Hallaçi.

/Birn/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit